Hoti: Dëm i madh për Kosovën të neglizhohet projekti i gazsjellësit që mbështetet nga SHBA

PRISHTINË, 19 shtator/ATSH/- Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar në lidhje me ndërtimin e gazsjellësit të sponsorizuar nga administrata amerikane.

Ai ka shprehur shqetësimin se qeveria aktuale po e neglizhon këtë projekt, duke thënë se projekti në fjalë përveç dimensionit politik, ka edhe rëndësi gjeopolitike.

“Është dëm i madh hapja e dilemave se a duhet të ndërtohet rrjeti që i mundëson Kosovës qasje në gaz. Në Qeverinë Mustafa të viteve 2014-2017 janë plotësuar kushtet që Kosova të bëhet pjesë e MCC-së. Dhe ka disa vite që MCC, bashkë me institucionet e Kosovës, ka bërë studimet e nevojshme për diversifikimin e resurseve energjetike, përfshirë edhe furnizimin me gaz. Gjatë kohës sa kam qenë kryeministër, kemi finalizuar listën e projekteve për tu përfshirë në financimin nga MCC, e cila është bazuar në studimet e parafizibilitetit. Në këtë listë ka qenë i përfshirë edhe rrjeti për qasje në gaz në Maqedoninë e Veriut”, thekson Hoti.

Ai shton se “as në Qeverinë Mustafa dhe as në Qeverinë time nuk kemi pasur asnjëherë dilema për bashkëpunimin me SHBA”.

“Është dëm i madh që tani hapen këto dilema, në veçanti pasi presidenti Biden e ka njoftuar Kongresin se e ka ndarë shumën prej 200 mil dollarë për projekte të MCC-së në Kosovë. Në vend që të shkohet përpara me projektin e gazit, hapet debati për rikostruim të TC Kosova A që është kancer ambientalist. Projekti i gazit ka dimension ekonomik dhe gjeopolitik. Duket se asnjëri nga këto dimensione nuk po kuptohen sa duhet apo po neglizhohen nga qeveria aktuale”, thekson ish-kryeministri

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.