GJERMANI – Laschet pret garë të ngushtë në zgjedhjet federale

BERLIN, 19 shtator /ATSH-DPA/ – Një javë para se gjermanët t’u drejtohen qendrave të votimeve për zgjedhjet federale, kandidati konservator për kancelar, Armin Laschet shprehu besimin te suksesi i  tij, pavarësisht se vazhdon të mbetet pas në sondazhe.

“Këto janë zgjedhje shumë të ngushta, një garë shumë e ngushtë”, tha Laschet për gazetarët.

Ai theksoi qëndrimin e tij kritik ndaj sondazheve të opinionit: “Sondazhet janë sondazhe, çdo ditë një sondazh i ri me një klik”, duke shtuar se shumë njerëz nuk janë përfshirë në sondazhe të tilla.

Në sondazhet e fundit, socialdemokratët e qendrës së majtë (SPD), me kandidatin për kancelar, Olaf Scholz, kanë qenë disa pikë përpara CDU-së dhe partisë së saj simotër bavareze, CSU, me rreth 25 për qind mbështetje.

Anketuesit ende i shohin të Gjelbrit, me kandidaten e tyre Annalena Baerbock, në vendin e tretë.

Në një sondazh të institutit të sondazheve Insa, që do të publikohet të dielën nga gazeta “Bild am Sonntag”, CDU-CSU ka pasur përfitime të vogla, por është ende pesë pikë përqindje prapa SPD-së.

Vendi i SPD-së mbetet i pandryshuar, me mbështetjen e 26 për qind të votuesve, ndërsa CDU-CSU ka 21 për qind, 1 pikë përqindje më shumë se javën e kaluar, kurse Të Gjelbrit kanë ende 15 për qind mbështetje.

Për sa i përket popullaritetit, Laschet ka pësuar një humbje të vogël të mëtejshme dhe mbetet qartë prapa Scholz, që kryeson me 31 për qind./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.