Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, Policia arreston 5 shtetas


TIRANË, 19 shtator/ATSH/ Policia e Shtetit gjatë 24 orëve të fundit ka goditur disa raste të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Policia e Gjirokastrës vuri në pranga dy shtetas, që u kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit, si dhe sekuestroi dy automjete dhe 4 aparate celularë.

Nga specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Gjirokastër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative u arrestuan në flagrancë shtetasit Y. Ç., 52 vjeç dhe S. M., 49 vjeç, banues në Tepelenë.

Ata  kapën në aksin rrugor Përmet-Tepelenë, në vendin e quajtur Ura e Dragotit, duke transportuar me automjetet tip “Nissan” dhe “Benz”, 13 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit.

Po ashtu, Policia e Fierit ndaloi një 42-vjeçar, i cili u kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm.

Shtetasi M. C., 42 vjeç, banues në Tepelenë, u kap në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Policisë në aksin rrugor Tepelenë-Fier, duke transportuar me automjetin tip “Benz”, 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.

Ndërsa Policia e Lezhës vuri në pranga 2 shtetas që u kapën duke transportuar 19 emigrantë të paligjshëm të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.

Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit E. B., 26 vjeç dhe I.N., 33 vjeç, banues në Fushë Krujë./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.