“Arthur Rambo”, një film për rreziqet e rrjeteve sociale

SAN SEBASTIAN, 19 shtator /ATSH-AFP/ – Regjisori francez, Laurent Cantet ka prezantuar në festivalin spanjoll të filmit, në San Sebastian, filmin e tij të ri, “Arthur Rambo”, një jehonë e shkatërrimit të reputacionit në mediet sociale.

“Filmi artistik ndjek një autor të ri, që i përket një brezi, në të cilin edhe pse kanë lindur në kohën e rrjeteve sociale, ndonjëherë, nuk e kuptojnë funksionimin e tyre”, shpjegoi regjisori, fitues i Palmës së Artë 2008 me filmin “Entre les murs” (Midis mureve) dhe i dy çmimeve Césars për filmin “Ressources humanes” (Burimet Njerëzore) (1999).

Historia e “Arthur Rambo” bazohet në historinë e vërtetë të Mehdi Meklat, një autori 25-vjeçar francez, i cili kishte fituar famë duke kronikuar në veçanti lagjet e pafavorizuara, para se të ndalonte gjithçka përballë zbulimit të mijëra “tweets” të tij antisemite, homofobike, raciste dhe seksiste.

Filmi tregon historinë e Karim D, një shkrimtari të ri me origjinë algjeriane, i cili jeton në periferi të Parisit dhe sapo ka botuar romanin e tij të parë mbi emigracionin, që shpejt e shtyn atë drejt famës.

Libri i tij është në prag të përshtatjes për kinemanë, kur një seri “tweets” të tij antisemite dhe homofobike, të botuara nën pseudonimin “Arthur Rambo” përmbysin gjithçka, duke e detyruar atë të përballet me ata përreth tij dhe të gjejë një rrugëdalje.

“Ai është një personazh mjaft përfaqësues i kohës sonë, gjithashtu përfaqësues i një ndarjeje shoqërore që është shumë e theksuar në Francë dhe, veçanërisht, në Paris, midis botës pariziane dhe periferisë”, tha regjisori 60-vjeçar./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.