Qeveria Rama 3 betohet në Presidencë

 

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit të ri u betuan sot në orën 10:00 në Presidencë, për të nisur punën për mandatin e tretë qeverisës.

Presidenca njoftoi se anëtarët e Këshillit të Ministrave u betuan sot para Presidentit të Republikës, Ilir Meta, sipas procedurës kushtetuese.

Me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, kryeministri Edi Rama dhe anëtarët e tjerë të Këshillit të Ministrave u betuan se: “Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave!”

Gjatë kësaj ceremonie solemne ishin të pranishëm kryetari i Kuvendit, Lindita Nikolla dhe anëtarët e kabinetit të Presidentit të Republikës.

Edi Rama është emëruar kryeministër në fillim të Legjislaturës X, me dekretin e Presidentit të Republikës në datën 10 shtator.

Ndërsa ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama dhe ministrat e qeverisë së re morën votëbesimin në Kuvend me 77 vota pro, 53 kundër dhe 1 abstenim.

• Edi Rama- Kryeministër;
• Arben Ahmetaj – Zëvendëskryeministër dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave;
• Olta Xhaçka – Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme;
• Niko Peleshi – Ministër i Mbrojtjes;
• Bledar Çuçi – Ministër i Brendshëm;
• Delina Ibrahimaj- Ministër i Financave dhe Ekonomisë;
• Belinda Balluku – Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë;
• Evis Kushi – Ministër i Arsimit dhe Sportit;
• Ulsi Manja – Ministër i Drejtësisë;
• Elva Margariti – Ministër i Kulturës;
• Frida Krifca – Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
• Ogerta Manastirliu – Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
• Mirela Kumbaro Furxhi – Ministër i Turizmit dhe Mjedisit;
• Elisa Spiropali – Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin;
• Edona Bilali – Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes;
• Bora Muzhaqi – Ministër i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët;
• Milva Ekonomi – Ministër i Shtetit për Standardet e Shërbimeve.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.