Mbi 1 miliard lekë për rehabilitimin e infrastrukturës në Porto Romano-Kënetë

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Këshilli i Ministrave, mbështetur në ligjin për “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, vendosi përdorimin e fondit të rindërtimit, në vlerën 1 990 639 140.6 lekë pa TVSH, për financimin e zbatimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit për rehabilitimin e infrastrukturës së rrjetit të kullimit në zonën e Porto Romano – Kënetë dhe sistemimin e rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit.

Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, bashkisë Durrës, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, i transferohet fondi në masën 398 127 828 lekë pa TVSH, për financimin e zbatimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit për rehabilitimin e infrastrukturës së rrjetit të kullimit në zonën e Porto Romano – Kënetë dhe sistemimin e rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit, në formën e transfertës së pakushtëzuar. Efekti financiar të përballohet nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë.

Caktohet Bashkia Durrës si njësi zbatuese për financimin e zbatimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit për rehabilitimin e infrastrukturës së rrjetit të kullimit në zonën e Porto Romano – Kënetë dhe sistemimin e rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit.

Ndërsa ngarkohet Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.