Bujqësia në 4 vitet e ardhshme, rritje eksporteve përmes investimeve në serra  

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Mbështetja dhe vijimi i trendit në rritje të eksporteve bujqësore, është në një ndër sfidat kryesore të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit në 4 vitet e ardhshme.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca gjatë prezantimit të enjten në Kuvend të programit për bujqësinë në 4 vitet e ardhshme, tha se “për rritjen e eksporteve bujqësore “made in Albania” do të vijojmë të mbështesim investimet në zinxhirin e vlerës në prodhimet primare”.

“Nëpërmjet shtimit të sipërfaqeve me serra shtojmë avantazhet konkurruese në hershmëri prodhimi dhe agropërpunim, duke garantuar vijueshmërinë e eksporteve gjithë vjetore” u shpreh Krifca.

Ministrja theksoi se ky lloj zhvillimi do të thotë më shumë punësim në bujqësi, mekanizim, sipërfaqe toke të punuara dhe të ardhura për familjen fermere dhe ekonomin e vendit.

Sipas saj, falë punës së fermerëve, blegtorëve dhe politikave orientuese gjithëpërfshirëse të kombinuara me lehtësi fiskale zero taksa për fermerët, me subvencione të drejtëpërdrejta me zero dokumente, me një strategji të fokusuar drejt prodhimit dhe eksportit të produktit shqiptar dhe zhvillimit të zinxhirit prodhues, përpunues, eksportues dhe hapjes së tregjeve rajonale e ndërkombëtare dhe shtimin e kapaciteteve magazinuese sipas standardeve evropiane, bujqësia dhe Shqipëria rurale po shohin realisht një zhvillim.

Sot eksportet bujqësore shqiptare shkojnë në 75 vende të botës. Eksportet bujqësore, në total janë rritur nga rreth 100 milionë dollarë në fund të vitit 2014 në 400 milionë dollarë në fund të vitit 2020, ndërsa parashikohet të shkojnë në mbi 1 miliard në katër vitet e ardhshme.

Sektori i bujqësisë është ndër sektorët me kontributin më të madh në Prodhimin e Brendshëm Bruto, rreth 20 %. Në Shqipëri në vitin 2013 punoheshin afro 125 mijë ha tokë, ndërsa sot punohen 250 mijë ha tokë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.