Titulli “Martir i Demokracisë” katër të përndjekurve politikë

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me propozim të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, vlerësoi me Titullin e lartë “Martir i Demokracisë” katër figura dhe personalitete të zonës së Korçës, nga radhët e të përndjekurve politikë, të cilët u shndërruan në simbole të rezistencës antikomuniste dhe solidaritetit njerëzor, duke i mbijetuar me dinjitet terrorit të diktaturës dhe që më pas, në vitet e demokracisë, zhvilluan një aktivitet të spikatur për dokumentimin e krimeve të komunizmit.

Kreu i Shtetit, me anë të një ceremonie solemne të zhvilluar në ambientet e Këshillit të Qarkut Korçë dekoroi Ylber Fuart Merdani, Shpresa Ballolli Merdani, Nevrus Isa Golka si dhe Petrit Bazelli, me motivacionin: “Me nderim të thellë për qëndrueshmërinë dhe integritetin njerëzor të treguar në kushtet e shtypjes dhe dhunës së pushtetit. Me mirënjohje të veçantë për sjelljen fisnike e pa bujë dhe për shembullin frymëzues të humanizmit, rezistencës dhe solidaritetit”.

Duke iu drejtuar të dekoruarve dhe familjarëve të tyre, Kryetares së Autoritetit për Informimit mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit,  Gentiana Sula, Kryetarit të Bashkisë së Korçës,Sotiraq Filo, autoriteteve vendore, si dhe përfaqësuesve të Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, të pranishëm në këtë aktivitet, Presidenti Meta u shpreh se “është kënaqësi të jem sot, së bashku me ju, për të nderuar dhe vlerësuar sakrificën dhe qëndresën e katër të mbijetuarve të diktaturës komuniste, të cilët i dhanë përmasë njerëzore përballjes me totalitarizmin dhe një prej diktaturave më të egra që njohu bota”.

“Jemi pikërisht këtu për të nderuar Ylber Merdani, Shpresa Ballolli Merdani, Nevrus Golga dhe Petrit Bazelli. Ata dhe familjet e tyre kanë përjetuar një përndjekje dhe dhimbje të jashtëzakonshme, në këtë sallë dhe ndërtesë, ku u zhvillua drama e tyre jetësore dhe ku ne sot, nderojmë dinjitetin njerëzor, nëpërmjet nderimit të katër qytetarëve dhe njerëzve të thjeshtë e të papërkulur. Figura të tilla janë personalitete frymëzuese për shoqërinë e sotme shqiptare, sepse ata sakrifikuan vitet e tyre më të bukura, në mbrojtje të dinjitetit, të lirisë dhe të së vërtetës”, theksoi Meta.

“Por për ne, kjo ditë nuk është vetëm një ditë vlerësimi. Ajo është, mbi të gjitha, edhe një ditë që na fton për të reflektuar! Reflektim mbi të shkuarën e egër totalitare, përballje me këtë të shkuar dhe çlirim i shoqërisë nga makthet e krimeve të diktaturës”, tha Meta.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.