Rama-Bashës: Jemi të gatshëm të diskutojmë për të gjitha, reformën territoriale apo atë zgjedhore


TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama në mbyllje të seancës maratonë të diskutimit të programit qeverisës të 4 viteve të ardhshme iu përgjigj disa prej shqetësimeve të ngritura nga opozita, ndërsa e ftoi atë të bashkëpunonte.

Rama tha se ishte i gatshëm të diskutonte me opozitën si për reformën zgjedhore, edhe atë territoriale.

“Dëgjova nga kreu i PD-së se të gjitha ato synime që janë të parealizueshme pa bashkëpunimin me shumicën do ti ndjekim me popullin. Nuk kam asnjë problem të zbresin me popullin e të flasin për reformën zgjedhore apo atë territoriale, por në fund të ditës nëse duan të realizojnë këto synime duhet të flasin me ne, dhe nuk duhet të bëjnë gabimin që kanë bërë historikisht që i kanë lënë gjithmonë gjërat në fund. Ne ju thonim vijimësisht ‘hajde uluni për reformën zgjedhore’, ata nuk vinin. Ne nuk mund të mohonim se ata ishin opozita e votuar, ndaj dhe ju dhamë një karrige ekstra, dhe atë nuk e përdorën”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se ne nuk kemi asnjë tabu. “Jemi të gatshëm të diskutojmë për të gjitha, të diskutojmë reformën territoriale. Ne mendojmë se duhet të ketë më pak bashki”, u shpreh ai.

Ajo që duhet të bëjmë, theksoi Rama, është të ulemi dhe të ballafaqojmë argumentet.

Të njëjtën gjë Kryeministri ofroi edhe për reformën zgjedhore. Kjo, tha ai, kërkon proces dialogu.

Kryeministri Rama foli edhe për disa nga shqetësimet e ngritura nga opozita.

“Sot në çadra janë afro 400 familje që kanë zgjedhur të qëndrojnë për shkak të afërsisë me aktivitetin e tyre bujqësor. Këto 400 familje në çadra marrin bonusin e qirasë“, informoi Rama.

Nga ana tjetër Kryeministri u shpreh se janë afro 1.2 miliardë dollarë nga buxheti i shtetit që kanë kaluar te familjet, si rezultat i ndryshimit të taksimit.

Sa i takon shqetësimit të ngritur nga opozita lidhur me punësimin, Rama tha se në ditën që kemi marrë detyrën kemi gjetur në bordoro 439 mijë të punësuar dhe sot, tha ai, janë ka 653 mijë njerëz.

“Në administratën shtetërore ishin në 2013-ën 120 mijë të punësuar, ndërsa sot janë 86 mijë“, deklaroi Rama.

Po ashtu, ai informoi se përpara se të merrnin detyrën 8 vite më parë, rimbursoheshin 38 milionë dollarë ilaçe, ndërsa sot rimbursohen 220 milionë dollarë çdo vit.

Kryeministri tha se janë sot 280 mijë nxënës që marrin librat falas. “Kur ne e nisëm qeverisjen nuk ishte asnjë. Sot nxënësit marrin prodhime të Oxford apo Cambridge dhe jo të Balliut”, deklaroi Rama.

Kryeministri, po ashtu vuri në dukje se janë shtuar në skemën e trajtimit shëndetësor 600 mijë qytetarë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.