Përzgjidhen 4 kompanitë konsulente për emetimin e Eurobondit në tregun ndërkombëtar

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Ministria e Financave dhe Ekonomisë shpalli kompanitë JP Morgan, Societe Generale dhe Banca IMI & (iv) dhe OTP për të drejtuar procesin e emetimit nga Republika e Shqipërisë të Eurobondit në tregun ndërkombëtar.

MFE informoi se nga data 7 deri në 15 shtator, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë u shqyrtuan propozimet e paraqitura nga bankat për emetimin nga Republika e Shqipërisë të Eurobondit në tregun ndërkombëtar.

“Vlerësimi i propozimeve u bë mbi bazën e eksperiencës së institucioneve në transaksione të ngjashme, prezencën e tyre në tregje dhe kapacitetin për sigurimin e financimit të kërkuar, risqeve të ndryshme që mbart secili prej propozimeve, kostos më të ulët efektive me të gjitha elementet e saj si afati i maturimit, mënyra e shlyerjes dhe komisionet, interesi dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në koston e huamarrjes në varësi të kushteve të tregut”, bën të ditur MFE.

Qeveria shqiptare parashikon të dalë në muajin nëntor në tregjet ndërkombëtare për të emetuar Eurobondin e ri me vlerë rreth 500 milionë euro.

Financimi i siguruar nga Eurobondi do të shërbejë për të shlyer (rifinancuar) një pjesë të Eurobondit të marrë në vitin 2020 dhe pjesa tjetër për të plotësuar nevojat për financim të buxhetit.

“Sa më shumë injeksion në treg, aq më shumë ofrohet nxitje për të rritur ekonominë”, është shprehur me herët ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj gjatë një interviste në medie.

Shqipëria mbylli daljen e saj të katërt në tregjet e kapitalit në qershor të vitit që lamë pas duke emetuar me sukses një Eurobond me vlerë 650 milionë euro, me kupon 3.5 % dhe me normë interesi të tregtimit 3.625 %.

Kjo është hera e pestë që vendi ynë i drejtohet tregjeve ndërkombëtare të kapitalit me instrumentin e Eurobondit.

Eurobondi i parë është emetuar në vitin 2010 (me vlerë 300 milionë euro, maturim 5-vjeçar dhe interes 7.5 %) dhe është shlyer në vitin 2015. Eurobondet e mëpasshme dhe të cilat janë ende aktive (të pashlyera plotësisht) janë:

Eurobondi i emetuar në vitin 2015 (me maturim 5-vjeçar), në vlerë prej 450 milionë eurosh dhe me një normë interesi 4.75 %, Eurobondi i emetuar në vitin 2018, në vlerën prej 500 milionë euro, me maturim 7-vjeçar dhe normë interesi 3.5 %.

Gjatë emetimeve të njëpasnjëshme Shqipëria ka shënuar sukses, duke mundësuar emetime me kosto gjithnjë e më të ulëta, kjo për shkak të kredibilitetit të rritur në sytë e investitorëve.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.