“PD në opozitë të përjetshme”, Kulluri: Basha e ka të humbur betejën

TIRANË 17 shtator /ATSH-I.Vata/ Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edvin Kulluri ka reaguar sot në lidhje me mungesën e debatin në PD dhe bën përgjegjës kryetarin Lulzim Basha.

Në reagimin e tij, Kulluri dënon modelin Basha për mungesën e debatit në parti dhe e konsideron si një shkak që ka dënuar PD të qëndrojë në opozitë të përjetshme.

“I vetmi kryetar partie në Evropë e botën demokratike që nuk përfaqëson shumicën e anëtarëve të partisë së tij, është Lulzim Basha. Parullës së “politikanit perëndimor” i ka dalë boja prej 4 vitesh. Lulzim Basha nuk ka bërë asnjë debat me kundërshtarët e tij as në Kryesi, as në Këshill Kombëtar e as në takimet në degët e PD në zgjedhjet për kryetar në 2017 dhe 2021. Çdo vendim ose e imponon në forumet që i emëron vetë pa garë, ose e shpall pa asnjë vendim forumesh. Kjo e ka rrënuar imazhin e PD si një parti demokratike dhe e hapur duke e dënuar me opozitë të përjetshme nën këtë model. Edhe me Berishën natyrisht do bëjë të njëjtën gjë. Nxjerr të flasin njerëz nga familja e tij”, shprehet ai.

Po ashtu, Kulluri shton se Basha nuk mundet të përballet në asnjë forum apo takime në bazë.

“Një herë fshihet pas frazave të tipit “më falni, se nuk e bëj më”, ose “ma kërkuan SHBA” që në fakt nuk i ka dëgjuar as në 2017 e as në 2019 kur i kërkuan të mos destabilizonte vendin për kapriçot e tij. Ky njeri është një burracak që e ka përçarë PD në shërbëtore të tij dhe “armiq imagjinarë”, ndërkohë që nuk jep llogari për asnjë dështim e vendim antidemokratik. Por kësaj maskarade i ka ardhur fundi. Boll më. Tani nuk fshihet dot më pas asnjë gënjeshtre. Demokratët që kanë mbështetur kritikët në parti e tashmë edhe me Berishën janë shumicë absolute, me të cilët Basha e ka të humbur betejën”, shprehet ai. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.