Konferencë shkencore në 80-vjetorin e akademikut Luan Starova

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizoi sot veprimtarinë shkencore kushtuar veprës krijuese e studimore të akademik Luan Starovës, në 80-vjetorin e lindjes.
“Luan Starova – akademiku, shkrimtari i shumëgjuhësisë” ishte tema e kësaj veprimtarie, në të cilën mbajti një fjalë përshëndetëse edhe akademik Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave.
Gjinushi theksoi se Luan Starova që në krye të herës zgjodhi të bëjë emër si krijues në Paris, ku ai nisi karrierën shkencore me mbrojtjen e doktoratës, dhe 50 vjet më pas kjo kryeqendër e kulturës botërore e vlerësoi me çmimin më të lartë të Francës në letërsi, “Margaret Yourcenar”.
Gjinushi e cilësoi Starovën, “një model të rrallë të harmonizimit të fuqisë krijuese me dinjitetin njerëzor”.
“Në historinë e letrave kombëtare shqiptare, por edhe në ato botërore, shumë rrallë ka ndodhur që studiuesi dhe krijuesi të bashkëjetojnë tek i njëjti, siç mund të përmendnim Mjedën, Camajn dhe Besim Bokshin. Luan Starova është një prej atyre rasteve fatlume që suksesi i shkrimtarit dhe ai i studiuesit ia kanë shtuar ndriçimin njëri-tjetrit”, tha Gjinushi.
Gjinushi tha se “Starova është shkrimtari më i vetëpërkthyer në historinë e letërsisë shqipe, shkrimtari i një letërsie trigjuhëshe, shqip, frëngjisht e maqedonisht, çka e rendit emrin e Starovës ndër të paktët shkrimtarë shqiptarë të vetëpërkthyer, si De Rada e Fan Noli”.
“Çka është më e rëndësishmja, Luan Starova shkruan me të njëjtën shije e cilësi në të tria këto gjuhë, aq sa i ka vënë në vështirësi studiuesit, që nuk munden të përcaktojnë se cila ndër këto gjuhë është e para. Akademizmi shqiptar i detyrohet shumë dhuntisë krijuese të Luan Starovës po aq sa edhe cilësive të shkëlqyera njerëzore të karakterit të tij”, shtoi ai.
Gjinushi tha se “letërsia dhe studimet e Luan Starovës duhet të përfshihen sa më parë në programet universitare. Çdo letërsi e popujve të Ballkanit dhe të Europës do ta kishte quajtur veten me fat ta trajtonte këtë trashëgimi të tij si të vetën”.
Ndërmjet viteve 1970-2020, Luan Starova ka 151 tituj veprash letrare dhe studimore të botuara në 299 publikime si autor, përkthyes, përshtatës dhe introduktues. Librat e tij janë në shërbim të lexuesit në 3452 biblioteka publike dhe universitare në botë.
Gjuhët në të cilat lexohet shenjohen 10, duke përfshirë serbokroatishten, sllovenishten, bullgarishten, rumanishten, turqishten, italishten.
/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.