ITALI – Certifikata shëndetësore COVID-19 e detyrueshme për sektorin publik dhe privat të punës

ROMË, 17 shtator /ATSH-ANSA/ – Këshilli i Ministrave i dha njëzëri dritën jeshile dekretit të ri ligjor për zgjerimin dhe detyrimin e certifikatës shëndetësore “Green Pass” për të gjitha vendet e punës, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.

“Risia është se bëhet fjalë për një strategji universale, ne do të prekim të gjithë botën e punës publike dhe private, pra, një grup prej 23 milionë punonjësish”, tha ministri Renato Brunetta, në një konferencë për shtyp, pas miratimit të dekretit.

“Detyrimi i paraqitjes së një certifikate shëndetësore për hyrjen në vendin e punës është i vlefshëm për të gjithë punonjësit privatë, prandaj përfshihen të vetëpunësuarit dhe familjarët bashkëpunëtorë”, shpjeguan burime pranë qeverisë.

Ndër risitë, pezullimi nga puna dhe, për këtë arsye, nga paga, pas pesë ditësh qasje pa certifikatë.

Detyrimi i paraqitjes së certifikatës shtrihet edhe për ata që punojnë në shoqata vullnetare.

“Testet e antigjenit do të jenë falas vetëm për përjashtimet e parashikuara nga qarkorja e Ministrisë së Shëndetësisë”, tha ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza, në një konferencë për shtyp.

Të shëruarit nga COVID-19 nuk do të duhet të presin 15 ditë nga doza e parë e vaksinës antiCovid për të marrë certifikatën e vaksinimit, por do ta marrin atë menjëherë pas administrimit të dozës së parë.

Zgjerimi i “Green Pass” pritet të fillojë nga 15 tetori, për të gjithë punonjësit publikë dhe privatë./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.