I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet shtetasi egjiptian

TIRANË 17 shtator /ATSH-I.Vata/ Arrestohet përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Kuvajtit, një shtetas egjiptian i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Lajmi bëhet i ditur nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, e cila njofton për arrestimin e një shtetasi me qëllim ekstradimi drejt Kuvajtit.

“Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas në bashkëpunim me Interpol Tirana, në kuadër të kontrolleve të shtuara dhe verifikimeve të detajuara të dokumenteve të udhëtimit, kryesisht të personave që shfaqin probleme apo dyshime gjatë intervistimit, me qëllim kapjen e personave të shpallur në kërkim, kanë ndaluar për verifikim shtetasin egjiptian me iniciale A. E. Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi A. E., 35 vjeç, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Kuvajt, për veprën penale “Thyerje e besimit”, parashikuar nga Kodi Penal i Kuvajtit”, thuhet në njoftim.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Kuvajt, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.