FOTO – Bukuritë e peizazhit të parkut Divjakë-Karavasta tërheqin turistë nga Dubai

TIRANË 17 shtator /ATSH-I.Vata/ Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është shndërruar në një destinacion të preferuar për argëtim, qetësi dhe pushim në këtë fillimvjeshte dhe kryesisht nga turistë të huaj.

Këto ditë ishin turistë nga Dubai që zgjodhën Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.

Lajmi bëhet i ditur nga Administrata e Zonave të Mbrojtura, qarku Fier, që informon se turistë nga Dubai ishin të interesuar për të njohur bukuritë e Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta.

“Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një ndër destinacionet më të kërkuar nga turistët e huaj. Sot, ishim me turistë nga Dubai, të cilët ishin shumë të interesuar për t’u njohur me vlerat natyrore të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta”, thuhet në njoftim.

Përveç natyrës, Parku Kombëtar u ofron qytetarëve edhe “shoqërinë” e specieve të rralla dhe të veçanta që ndodhen në këtë park si pelikani kaçurrel apo edhe gjitari globalisht i kërcënuar lundërza (Lutra lutra), çakalli, dhelpra, baldosa, dallëndyshet e detit, si edhe disa lloje të rralla pishash.

Në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta gjenden edhe delta lumenjsh, laguna, duna ranore dhe bimësi e rrallë, çka e bën këtë park një ndër më të rëndësishmit në Mesdhe.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.