Eksportet e mallrave rritje me mbi 37 %, tejkalojnë edhe periudhën e para krizës

eksporte

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Në tetëmujorin e parë të vitit 2021, eksportet e mallrave arritën vlerën 232 miliardë lekëve, duke u rritur me 37,3 %, ndërkohë importet e mallrave arritën 487 miliardë lekë, duke u rritur me 29,3 %, krahasuar me një vit më parë.

INSTAT publikoi sot raportin mbi tregtinë e jashtme, sipas të cilit, deficiti tregtar arriti vlerën 254 miliardë lekë, duke u rritur me 22,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020-ës.

Eksportet përgjatë 8-mujorit të këtij viti rezultojnë të jenë rreth 32 miliardë lekë më të larta edhe se në të njëjtën periudhë vitit 2019, periudhë para krizës së shkaktuar nga pandemia.

Sipas INSTAT-it, ndikimin më të madh në rritjen vjetore të eksporteve e dha grupi “materiale ndërtimi dhe metale” me 14,2 %, “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 11,8 % dhe “tekstile dhe këpucë” me 3,8 %.

Ndërkohë grupi që ka ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 8,5 %, “materiale ndërtimi dhe metale” me 4,8 %, “produkte kimike dhe plastike” me 4,1 %.

Gjatë këtij tetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë Italia me 24,9 %, Kosova me 55,3 % dhe Spanja me 35 %. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë Ukraina me 28,5 % dhe Rusia me 36,5 %.

Referuar INSTAT-it, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë Italia me 31,4 %, Turqia me 48,2 % dhe Kina me 27,3 %. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë Rusia me 8,4 %, Zvicra me 25,6 % dhe Ukraina me 15,8 %.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.