Sezoni i ardhshëm turistik, stacionet e plazheve planifikohen në dy muajt e parë të vitit 


TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh se, “pa një mjedis të pastër nuk mund të kemi një turizëm cilësor, e aq më pak ekoturizëm që është aseti më i madh për zhvillimin e turizmit shqiptar”.

“Zonat bregdetare me një gjatësi prej 420 km janë nga më produktivet sa i përket larmisë së habitateve, zhvillimit urban, ekosistemeve, bizneseve, por edhe një zonë me shumë paradokse, me konflikte për përdorimin e tokës, kjo kërkon një përgjigje të organizuar shumë mirë”, tha Kumbaro gjatë fjalës së saj në Kuvend.

Ministrja vuri në dukje se “jemi ende në mungesë përgjigje të përkufizimit të saktë të hapësirës që përfshihet në vijën bregdetare. Ka një sërë ligjesh dhe aktesh nënligjore, por nuk e gjejnë ende një kornizë rregullatorë të posaçme për bregdetit. Një draft ligj është në këtë proces, me objektiva shumë të qarta: garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm të zonës, dhënien e një statusi të veçantë juridik të zonës, përcaktimi i bregut të detit si pronë e patjetërsueshme, ndalimin e ndërtimeve si edhe disiplinimin e ndërtimeve. Në vijim është edhe reformimi i strukturave ekzistuese për ta zgjidhur një herë e mirë këtë mjegullnajë, që problematikat të adresohen më mirë”.

Ndërsa theksoi se, “ishte padyshim një nismë e lavdërueshme krijimi për herë të parë i këtyre strukturave, por ndërsa 8 vite më pas vërehet domosdoshmëri e ngritjes ky ristrukturim është në rendin e ditës”.

Duke e vlerësuar vijën bregdetare atraksionin më të madh turistik të vendit, Kumbaro tha se “do të ketë një bashkëpunim shumë të ngushtë me bashkitë, ndarje të territorit në rajone monitorimi, krijimin e njësisë suplementare për sezonin e verës dhe planifikimin e stacioneve të plazhit që në dy muajt e parë të vitit. Puna për organizimin e sezonit të ardhshëm turistik në bregdet ka filluar”.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.