Programi i mandatit të tretë qeverisës, investimet nga “Korridori blu” te portet dhe në turizëm

TIRANË, 16 shtator /ATSH/ “Investimet në turizëm do të hyjnë në një fazë realisht historike për nga shumëfishimi gjatë kësaj dekade duke filluar me kantieret e mëdha të katër porteve turistike”.

Kështu u shpreh sot në Kuvend kryeministri Edi Rama, teksa theksoi se “do të nisim me rialokimet e dy porteve tregtare në “Porto Romano”, në Durrës dhe në “Triport” në portin e Vlorës, ku do të ngrihet kantieret e dy porteve të reja me standardet më të mira ndërkombëtare”.

Ndërkohë, vijoi ai, do të vazhdojë rritja e kapaciteteve të aviacionit civil, me zgjerimin edhe të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Tiranë, ku brenda vitit nis investimi për zgjatjen e pistës dhe për terminalin e ri. Ndërsa Air Albania do të vazhdojë të rritet duke shtuar flotën dhe destinacionet, në radhë të parë për të gjithë shqiptarët.

Rama theksoi se, “ky do të jetë mandati i kantierit të madh “Korridorit blu”, më i madhi deri më tani në historinë e infrastrukturës rrugore të Shqipërisë”.

“Në harkun e 5 viteve do të kemi të realizuar një autostradë me standarde europiane nga Muriqani në Fier, duke kaluar përmes Miltotit, Thumanës, Kasharit dhe Rrogozhinës. Kemi pritur më gjatë se ç’duhet që ky projekt prioritar të financohej në kuadër të procesit të Berlinit nga BE, por nuk do të presim më, do të fillojmë punën”, deklaroi Kryeministri.

Rama tha se, “në këtë mandat do të vendosim pikat mbi “i” në të gjitha akset rrugore të mbetura ende të pazhvilluara me parametrat më të mira të Shqipërisë 2030”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.