Policët polakë përdorin makinat e sekuestruara… bandave të drogës!

VARSHAVË, 16 shtator /ATSH-PAP/ – Oficerët e policisë në Gdansk tani mund të lëvizin me një BMW, dikur në pronësi të shpërndarësve të drogës, falë dispozitave të një ligji të ri, thanë prokurorët.

Byroja Qendrore polake e Hetimeve mori BMW-në së bashku me një makinë tjetër, pas një hetimi të një grupi të organizuar kriminal, i përfshirë në kontrabandë dhe trafik droge.

“Ndër sendet e sekuestruara është një automjet BMW dhe një makinë tjetër pasagjerësh”, tha zyra e prokurorit.

”Banda arriti të kontrabandonte një total prej 4,5 tonësh hashash nga Spanja në vendet skandinave”, sipas prokurorëve.

Prokurorët gjithashtu thanë se sekuestrimi i makinave në pronësi të kriminelëve u bë i mundur falë ndryshimit të vitit të kaluar në ligj.

”Shkatërrimi ose ruajtja e pronës së konfiskuar nga kriminelët do të ishte një humbje e burimeve që mund të viheshin në përdorim për të mbrojtur publikun”, shtuan prokurorët./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.