Përmirësim i kuadrit ligjor i rolit dhe kompetencave të prefektëve

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbajti së bashku me Ministrinë e Brendshme një tryezë të rrumbullakët me pjesëmarrjen e prefektëve të vendit.

I bashkëkryesuar nga kryetari i Prezencës, ambasadori Vincenzo Del Monaco, dhe zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko, ky ishte takimi i parë i prefektëve me një organizatë ndërkombëtare të pranishme në Shqipëri për të diskutuar rolin dhe funksionin e tyre.

Ambasadori Del Monaco, tha se takimi kishte për qëllim arritjen e tre qëllimeve.

“Së pari, ne e vlerësojmë lart këtë mundësi për t’ju dëgjuar, për të diskutuar rolin dhe funksionet tuaja në fushën e mbrojtjes civile dhe të emergjencave. Ky është pa dyshim një diskutim mjaft i dobishëm e i nevojshëm dhe jo vetëm për shkak të përmbytjeve dhe zjarreve të pyjeve me të cilat jemi përballur, apo edhe të pandemisë së COVID-19”, u shpreh ai.

“Së dyti, do të donim të dëgjonim prej jush për bashkëpunimin ndërinstitucional mes Bashkive dhe Prefekturave nga njëra anë, por edhe atij mes tyre dhe Ministrisë së Brendshme nga ana tjetër, me synimin për t’i njohur më mirë nevojat sa i përket komunikimit, bashkëpunimit dhe bashkërendimit”, theksoi Del Monaco.

“Dhe së treti, do të donim të dëgjonim mendimin tuaj për çdo përmirësim të mundshëm që i nevojitet kuadrit ligjor dhe vlerësimin tuaj rreth organizimit aktual territorial-administrativ të Shqipërisë, veçanërisht nga pikëpamja e sfidave në frontin e emergjencave civile”, nënvizoi Del Monaco.

Zëvendësministrja Kuko u shpreh se, Ministria e Brendshme është në punë e sipër për të përcaktuar prioritetet e saj së bashku me pjesën tjetër të ministrive të Qeverisë.

Sipas saj, një ndër prioritetet e Ministrisë së Brendshme është edhe përmirësimi i kuadrit ligjor që rregullon rolin dhe kompetencat e prefektëve.

“Veprimtaria e organizuar bashkërisht përbën një themel të mirë prej ku t’ia nisim diskutimit të kësaj teme; në këtë kuptim, kjo është një tryezë pune që përfshin të gjithë aktorët përkatës, para së gjithash vetë prefektët”, shtoi ajo.

Ajo e falënderoi Prezencën për iniciativën e shpejtë për hapjen e këtij diskutimi të rëndësishëm, i cili duhet të jetë konkret dhe të prodhojë rezultate të prekshme dhe thelbësore.

Në këtë veprimtari u dhanë një sërë prezantimesh rreth rolit të prefektëve në çështjet e sigurisë dhe rendit publik, evolucionin institucional të institucionit të Prefektit në Shqipëri, sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen Prefektët në kryerjen e detyrave të tyre, si dhe nivelin e bashkëpunimit me aktorët në rang bashkie e qarku. Prezantimet u pasuan nga diskutime të gjalla dhe plot sugjerime në lidhje me përmirësimin e mëtejshëm të rolit të Prefektëve në përballimin e sfidave të sigurisë nëpër qarqe.

Pjesëmarrësit vunë në dukje nevoja të ndryshme, që nga sqarimi i kompetencave ligjore e deri tek përfitimet që mund të sjellin procedurat standarde të funksionimit, por edhe rajonalizimin e mundshëm të disa funksioneve, bashkëndarjen e infrastrukturës, investimeve teknike dhe, mbi të gjitha, krijimin e mekanizmave të duhur të bashkërendimit dhe bashkëpunimit mes të gjitha niveleve të vetëqeverisjes. Prezenca do të përpiqet t’i trajtojë këto çështje në punën e saj të mëtejshme.

Në seminarin e sotëm merrnin pjesë zyrtarë nga Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, prefektë, përfaqësues të shoqatave të bashkive, si dhe të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.