PEKIN – Kina kandidate për traktatin e tregtisë së lirë të trans-Paqësorit

PEKIN, 16 shtator /ATSH-AFP/ – Kina ka kërkuar zyrtarisht të bashkohet me partneritetin e rëndësishëm trans-Paqësor të tregtisë së lirë, CPTPP, njoftoi ministri i saj i tregtisë, Wang Wentao, pavarësisht rritjes së tensioneve gjeopolitike me Australinë, një nga vendet anëtare.

“Më 16 shtator, unë bëra kërkesën zyrtare të Kinës për t’u bashkuar me Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse dhe Progresive të Trans-Paqësorit (CPTPP)”, tha Wentao, në një deklaratë në internet.

“Kërkesa iu paraqit me letër ministrit të Tregtisë së Zelandës së Re, Damien O’Connor, me të cilin pata një bisedë telefonike në lidhje me vazhdimin e këtij aplikimi për anëtarësim kinez”, shtoi ai.

I nënshkruar nga 11 vende të Azisë-Paqësorit në 2018, CPTPP është pakti më i madh i tregtisë së lirë në rajon, që përbën rreth 13,5 për qind të ekonomisë globale.

Kina tashmë ka shprehur dëshirën e saj për t’u bashkuar në disa raste dhe kryeministri i saj, Li Keqiang tha në mars se ekonomia e dytë më e madhe në botë “do të konsiderojë në mënyrë aktive bashkimin”.

Sidoqoftë, anëtarët e CPTPP-së do të duhet të arrijnë një konsensus për të lejuar bashkimin e Pekinit, një perspektivë delikate, në sfondin e një konflikti të trazuar gjeopolitik me Kanberran, për shkak të tarifave të vendosura nga Kina për një sërë produktesh australiane, përfshirë verën dhe elbin./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.