Modernizim i shërbimeve digjitale për publikun dhe sipërmarrjen

TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, paralelisht me Reformën në Drejtësi, modernizimi i shërbimeve digjitale për publikun dhe sipërmarrjen do të jetë prioritet.

Në fjalën e tij sot në seancën plenare të Kuvendit ku prezantoi programin e qeverisë, Rama tha se “modernizimi i shërbimeve digjitale për publikun dhe sipërmarrjen është leva Arkimedit që mund ta përmbysë plotësisht sistemin e vjetër të ryshfetit dhe burokracisë nga trualli i administratës publike”.

“Do të mbështesim rritjen e mëtejshme të kapaciteteve digjitale të këtij vendi, qoftë për mbyllur ciklin e shërbimeve për dokumentet për qytetarët dhe sipërmarrjen, duke mbyllur përfundimisht sportelet e shërbimeve dhe duke e transferuar krejt këtë sistemim në smartfonë e kompjuter për të hyrë në një fazë të re zhvillimi dhe shtrirja e teknologjisë digjitale duke nisur riformatimin tërësor të mësimit të informatikës në shkollë dhe duke vazhduar me stimulimin e kapitalit njerëzor për ekonominë digjitale, që të rinjtë tanë të mbështeten sa më mirë për të hyrë në tregun global të punësimit online pa pasur nevojë të lënë Shqipërinë”, deklaroi Rama.

Kryeministri u shpreh se “në mbështetje të teknologjisë digjitale do të vëmë në dispozicion të kompanive një garanci sovrane prej 50 milionë eurosh, si dhe 10 milionë euro mbështetje buxhetore në funksion të edukimit të avancuar startup të të rinjve”.

“Shkolla, universiteti, sporti, kultura për të gjithë do të jenë në këtë mandat qeverisës drejtimi ku do të investojmë energji, ide të reja për të krijuar kapital njerëzor, duke filluar që nga fëmijët të cilëve do t’u ofrohemi me një ofertë të re sektoriale që është nisja këtë vit shkollor e mësimit të anglishtes që nga klasa e parë fillore. Dy programet kombëtare ai për Artin e Zejet dhe ai për Sportet do të hyjë në rrugën e zbatimit në shkollat tona, tani më me libra të shtëpive botuese prestigjioze të huaja dhe do të jepen falas. Fazë e re e shkollës do të jetë dhe rritja e nivelit të mësuesve dhe edukatorëve, Do ti mbështesim kujdestarët e fëmijëve tanë në të gjitha aspektet. Qëllimi ynë është që dhe me reformën në arsimin e lartë të ngrihemi në një nivel tjetër që Shqipëria e 2030 të jetë një zgjedhje e familjeve shqiptare për të shkolluar fëmijët”, tha Rama.

Gjithashtu, Kryeministri shtoi se “do të mbështesim hapjen e Universiteteve Publike dhe njësimin e diplomave me universitetet europiane”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.