Mandati i tretë, Ahmetaj: Standard tjetër qeverisjeje dhe në shërbim të qytetarëve

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Arben Ahmetaj, zëvendëskryeministri dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave deklaroi sot gjatë seancës plenare në Kuvend se, “mandati ynë i tretë është një mandat për Shqipërinë 2030”.

“Programi ynë qeverisës është i konceptuar si një plan i kujdesshëm dhe i detajuar reformash dhe aksionesh që synon të materializojë në çdo qelizë të qeverisjes misionin tonë për Shqipërinë 2030, një projekt madhor që mishëron ambicien tonë të përbashkët për të çuar Shqipërinë në nivelin tjetër të zhvillimit, një vend europian që vendos një standard tjetër qeverisjeje dhe në shërbim të qytetarëve dhe familjeve”, tha Ahmetaj.

“Shqipëria 2030 do të jetë një vend me rritje ekonomike të qëndrueshme, me një stad tjetër të zhvillimit, konkurrueshmërisë, produktivitetit, falë një programi gjithëpërfshirës reformash në infrastrukturë, energji, shëndetësi, arsim, bujqësi, manifakturë dhe në teknologjinë e informacionit apo në dixhitalizim të mëtejshëm”, theksoi Ahmetaj.

Ahmetaj nënvizoi se, “mandati i tretë shpalos hap pas hapi planin tonë të punës që bazohet në 5 shtylla kryesore. Rimëkëmbja e ekonomisë nga tërmeti dhe pandemia. Mirëqenie për të gjithë, për një ekonomi të zhvilluar që nuk lë askënd vetëm. Modernizim për zhvillimin e ekonomisë prodhuese, turizëm, energji, bujqësi, ekonominë dixhitale, transportin, konektivitetitin dhe shërbimet. Familja si themel, ku ndërtojmë të ardhmen me paketën e familjes në ndihmë të  fëmijëve dhe të rinjve. Një Shqipëri e fortë, me shtet të fortë, vëmendje për çdo shqiptar dhe me dinjitet në botë”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.