IPARD III, 146 milionë euro për fermerët


TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha se “arritja e 1 miliard lekë eksporteve bujqësore është shifër ambicioze dhe është pjesë e vizionit të Shqipërisë rurale 2030”.

Në fjalën e mbajtur sot në Kuvend Krifca theksoi se, “premisa është shumë pozitive. Ne kemi gjetur në vitin 2013 eksportet në vlerën 150 milionë USD dhe aktualisht ato janë në vlerën e 400 milionë eurove”.

Sipas saj, në fokus të punës së qeverisë do të jenë prodhimet primare dhe mbështetja e drejtëpërdrejtë e fermerëve me një fond prej 50 milionë euro si dhe me heqjen e taksave për naftën, që është një skemë që do të vazhdojë vit pas viti.

“Në programin IPARD III, për të cilin do të marrim akredimin shumë shpejtë, brenda vitit 2022 ky program fillon, kemi rritur vlerën e financimit në 146 milionë euro, duke e çuar në një stad të ri nivelin e investimeve në bujqësi, sepse kemi mësuar fermerët shqiptarë sesi të aksesojnë fondet e BE-së”.

Lidhur me mbështetjen për peshkimin Krifca vuri në dukje se, “mbështetja për sektorin e peshkimit do të vijë nëpërmjet një sistemi fiskal, ku TVSH-ja zerohet për 27 zëra doganore të peshkimit, nga rrjetat e peshkimit, motorët etj.”.

“Synimi është rritja e kuotave të eksporteve drejt BE-së për açuken e përpunuar. Industria  përpunuese e peshkimit është pjesë e programit IPARD III me 146 milionë euro, gjë që nuk ka qenë më parë. Ndërkohë që synojmë forcimin e infrastrukturës portuale përmes investimeve në merkatot e peshkut, akuakulturë dhe nxitjen e kultivimit të troftës që është mjaft e kërkuar nga tregjet e huaja”, tha Krifca.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.