ILD, kërkesë për shkarkim nga detyra të magjistrates së Apelit të Tiranës

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Në Këshillin e Lartë Gjyqësor po zhvillohet sot seanca e procedimit disiplinor nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë ndaj gjyqtares E.S.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani u shpreh se, ka nisur hetimin disiplinor ndaj magjistrates E.S. me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë për mosparaqitje në detyrë.

“Nga hetimi disiplinor rezulton se Këshilli i Lartë i Drejtësisë i ka akorduar magjistrates, më 09.02.2018, leje për shkëputje nga puna për një periudhë 2-vjeçare, për arsye shëndetësore. Gjyqtarja nuk është paraqitur në detyrë në përfundim të lejes.

KLGJ më 28.10.2020 ka refuzuar kërkesën e saj për dhënie leje shtesë të papaguar.

Pas ankesës së magjistrates në Gjykatën Administrative të Apelit, kjo e fundit vendos më 02.02.2021 shfuqizimin e vendimit të KLGJ dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në Këshill.

Më 29.03.2021, KLGJ rimori në shqyrtim kërkesën e magjistrates dhe ka vendosur sërish refuzimin e saj.

Magjistratja ka marrë dijeni për këtë refuzim të ri të KLGJ më 31.03.2021 dhe vazhdon të mos paraqitet në mënyrë të pajustifikuar në detyrë”, theksoi ai.

“Gjatë hetimit disiplinor provohet se nga ana e magjistrates nuk është arritur të justifikohet mungesa e saj në punë për shkaqet objektive të pretenduara prej saj.

As Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe as zv.kryetari i Gjykatës së Apelit nuk kanë dhënë asnjë vendim pozitiv mbi kërkesën e magjistrates për pamundësinë e pretenduar prej saj për të justifikuar mosparaqitjen e saj në detyrë pas datës 01.04.2020, duke sjellë një mosparaqitje në detyrë pa shkaqe të justifikuara prej më tepër se 1 vit”, shtoi Metani.

“Nga sa më sipër provohet se nga ana e magjistrates E.S. është kryer shkelja disiplinore e parashikuar nga ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, të cilin parashikohet shprehimisht se: “Shkelje disiplinore gjatë ushtrimit të funksionit janë, në veçanti, por pa u kufizuar në to, veprimet, mosveprimet ose sjelljet e magjistratit, mungesa e pajustifikuar në detyrë, sipas parashikimeve të këtij ligji, për më shumë se 3 ditë pune në vit, moszbatimi pa shkaqe të justifikuara të vendimeve të dhëna nga Këshilli”, theksoi ai.

“Për sa më sipër, ILD kërkon nga Këshilli i Lartë Gjyqësor të administrojë provat e paraqitura nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në këtë procedim disiplinor dhe në mbështetje të Ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të vendosë:

“Pranimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistrates E.S., me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë për shkeljet disiplinore të parashikuara ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe caktimin ndaj tij të masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”, nënvizoi Metani.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.