EU4Culture, punë delikate për restaurimin e mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar

 

TIRANË, 15 shtator /ATSH/ Ekipi UNOPS-it së bashku me skuadrën e restaurimit po punojnë për restaurimin e mozaikut në fasadën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar, një projekt madhor i mundësuar falë programit “EU4Culture”.

Programi EU4Culture i BE-së, publikoi fragmente nga vizita në atelienë e Muzeut Historik Kombëtar ku ekipi UNOPS së bashku me skuadrën e restaurimit mirëpritën ambasadorin e BE-së Luigi Soreca, ministren e Kulturës Elva Margariti si dhe disa nga autorët e mozaikut, për të parë nga afër procesin dhe hapat që po ndiqen për konservimin e një prej siteve më të rëndësishëm të programit EU4Culture.

“Jam e lumtur t’ju mirëpres sot këtu në sitin tonë, ku po punohet mozaiku dhe po bëhet një punë delikate”, u shpreh përfaqësuesja e ekipit që po punon në këtë atelie.

Ajo tha se “ekipi po punon në analizimin e materialeve dhe është duke bërë studime rreth mozaikut”, teksa theksoi se “gjithashtu po bëhen edhe teste të rëndësishme”.

EU4Culture është një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të hartuar nga Bashkimi Evropian për sa i përket numrit të monumenteve dhe fondeve të përfshira.

Programi EU4Culture synon të ndihmojë në përmirësimin dhe nxitjen e tërheqjes ndaj këtyre siteve.

UNOPS është një nga agjencitë e OKB-së të specializuara në infrastrukturë, menaxhim projekti, prokurim, menaxhimi financiar dhe burime njerëzore. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.