Berisha: Basha veproi për interesa të karriges, duhej të kishte dhënë dorëheqjen 2 herë

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Ish-kryeministri Sali Berisha, pas përjashtimit nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, ka nisur turin e takimeve me anëtarët e PD-së.

“Pas themelimit të PD-së, foltorja e shtatorit 2021 është përpjekja më e rëndësishme dhe historike e juaja për një PD më të bashkuar më të fortë, më të hapur, më të sigurt në të ardhmen e saj”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se PD është sot në gjendjen më kritike të ekzistencës së saj.

“PD në çfarë gjendje është sot? Në gjendjen më kritike të ekzistencës së saj. Ka 8 vjet e cila ka humbur çdo nismë, përveç ligjit të Dekriminalizimit. Ka 8 vjet që ka humbur çdo aksion 100 %. Ka 8 vjet që para syve të saj shkatërrohet mekanizmi elektoral dhe ajo nuk i del zot. Ka 8 vite që ajo kalon nga disfata elektorale në disfatë elektorale, numëron përveç 2 mandate të përgjithshme, 2 zgjedhje të tjera lokale njërën të dhënë aforfe, njërën të humbur. Kjo është PD në ditën e sotme”, tha Berisha.

“PD humbi zgjedhjet e fundit në të cilat, Edi Rama vodhi, bleu, grabiti 2 herë më shumë vota sesa në zgjedhjet e vitit 2017. Por prapë duhet t’ia themi vetes të vërtetën në sy. Nëse Edi Rama nuk i fitoi zgjedhjet dhe këtë e kam bindje absolute, PD nuk i fitoi zgjedhjet dhe unë nuk mund të them atë që s’është”, u shpreh Berisha.

“Ditën e zgjedhjeve në darkë, pollsteri më serioz që kishim, ai që bën anketën, pyet zgjedhësit demokratë për kë votuat në PD? Vetëm 1/5 për kryetarin. Vetëm 19 % e tyre votuan për kryetarin, të tjerët për PD-në. E kundërta ishte raporti në kampin tjetër. Unë s’mund të them që ne fituam se në këtë mënyrë nuk mund të fitohet. Mund të afrohesh, mund të shkosh diku, po pa lider. Ndodhi kjo. Ishte humbja e dytë e madhe”, theksoi Berisha.

“Unë absolutisht këtë nuk do ta kapërdija më personalisht. Kjo ishte e pakapërdishme. Humbe dy herë zgjedhjet. Humbe një herë duhet të ikësh, humbe dy herë, dy herë duhet të ikësh”, tha Berisha.

“Në këtë mënyrë siç veproi Lulzim Basha, për interesa absolutisht të karriges së tij, duke shkelmuar lumenjtë e djersës të dhjetëra-mijëra militantëve, aktivistëve, komisionerëve, që e bënë natën ditë për të fituar zgjedhjet, ky vuri përpara karrigen e tij dhe u tha atyre ‘kemi fituar’. U tha atyre se shpërndante grafiqe në të cilat tregonte, mashtronte sigurisht, propagandë mashtruese se është fituar më shumë se në 2013. Në të vërtetë krahasuar me 2013 në 2021 PD me aleatët, aleancë për aleancë ka marrë 74 mijë vota më pak”, tha Berisha.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.