Bashkitë asnjë grant nëse nuk pastrojnë mjedisin, 1 qershori çlirimi i Shqipërisë nga qeset plastike

TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se mbrojtja e mjedisit do të jetë nga prioritet e qeverisë.

Gjatë prezantimit të programit politik, sot në Kuvendin e Shqipërisë, Rama tha se “shumica e re qeverisëse duke nisur nga projektbuxheti i vitit në vijim do të vendosë një parim të panegociueshëm me shpërndarjen e fondeve për bashkitë”.

“Në fillim pastërtia, pastaj të gjitha të tjerat. Rritja e konsumit, e veprimtarisë ndërtimore e turizmit nuk mund të shoqërohet me rritjen e e papastërtisë me rritjen e pranisë së plehrave në ambientet tona të përbashkëta”, u shpreh Rama.

Sipas tij, bashkitë që nuk pastrojnë dhe menaxhojnë si duhet plehrat nuk do të përfitojnë asnjë lloj granti të pa kushtëzuar nga buxheti i shtetit. Asnjë investim i ri nuk i vlen asnjë komuniteti në rast se nuk i garantohet në radhë të parë pastërtia e mjedisit dhe pastërtia duhet të kthehet në kryefjalën e çdo qeverie vendore dhe kryebashkiaku.

“Ne nuk do të tolerojmë mbylljen e syve të pushtetit vendor për ndërtimet pa leje, që do të jenë shënjestra prioritare e Policisë së Shtetit bazuar në ligjin që kemi riparë dhe riforcuar në këtë funksion. Ne duam ta bëjmë Shqipërinë e 2030-s, kampione të Ballkanit Perëndimor në turizëm. Por për t’ia dalë këtij objektivi ambicioz duhet të garantojmë pastërtinë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se, “sezoni i turistik i këtij viti ishte sa një motiv optimizmi për të ardhmen, për nga numri i madh i turistëve por aq edhe një kambanë alarmi për pastërtinë e ndërtimet pa leje, duke filluar nga zonat turistike”.

“Këto dy armiq shpërfillës të së ardhmes së këtij vendi, do të vihen në ndërveprim qysh nga janari i vitit të ardhshëm. Vija bregdetare e Shqipërisë një mrekulli dhe pasuri, prej të cilës mund të përfitojë çdo vit e më tepër ekonomia jonë kombëtare, duhet parë si pasqyra e atdhedashurisë që do të reflektojë përgjegjshmëri patriotike dhe qytetare”, deklaroi Rama.

“Në qershor të vitit tjetër do të hyjë në fuqi ndalimi i përfundimtar i përdorimit të qeseve plastike për konsum vetjak dhe familjar në Shqipëri. Qeset plastike janë kthyer në makth  dhe një Shqipëri e pavarur prej tyre do të jetë një Shqipëri më e gatshme për ta fituar sfidën e së ardhmes. Prodhimi, shitja dhe futja e qeseve plastike për përdorim individual në Shqipëri do të sanksionohet me zero tolerancë. Nuk jemi të parët që e bëjmë, por jemi realisht të parët që duhet ta kishim bërë. Gjithashtu do të pezullohen të gjitha lejet e licensat absurde për të grumbulluar mbetje me demek të riciklueshme, kazan më kazan, duke ndotur rrugët, ajrin e duke bërë pirgje kuturu”, theksoi ai.

Kryeministri deklaroi se “mesazhi im për industrinë që sot prodhon qese plastike për përdorim me blerje pakice është mos kërkoni asnjë lëshim nga kjo qeveri sepse ky është një lëshim në dëm të së ardhmes që qeveria nuk do ta bëjë. Keni 9 muaj kohë për të adaptuar linjën e re të prodhimit. 1 qershori do të jetë çlirimi i Shqipërisë nga qeset plastike”.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.