Basha: Demokracia shqiptare ka vdekur, u ekzekutua me masakrën zgjedhore

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se, demokracia shqiptare nuk është në krizë, ajo ka vdekur.

Gjatë fjalimit të tij në Kuvend Basha u shpreh se, “demokracia shqiptare nuk është në krizë, ajo ka vdekur. Ka vdekur në shtyllat e saj kryesore, në themelin e saj që janë zgjedhjet e lira. Nuk vdiq për shkaqe natyrore, paçka se sëmundja e saj ishte e rëndë dhe e gjatë. Demokracia është vrarë”.

“Gishti tregues për të kërkuar përgjegjësit e këtij krimi mund të drejtohet te shumë prej nesh që jemi në këtë sallë, apo tek ata që nuk janë më. Kushdo që është ngritur në këtë foltore në këto tre dekada ka borxhet dhe mëkatet e veta, por ekzekutori i fundit dhe i vetëm i saj është ai që foli përpara meje”, tha Basha.

“Provë e kësaj është fjalimi që ai mbajti pas dy mandatesh kryekëput të dështuara nga pikëpamja e interesit publik dhe përfitimit të qytetarëve; është deliri për të fryrë gjoksin përballë dështimit me pasoja tragjike të qeverisjes, dhe përpara paaftësisë kronike për të menduar për qoftë edhe një çast të vetëm për diçka tjetër, përveç mënyrës se si të mos lëshojë pushtetin e tij”, u shpreh Basha.

“Nëse nuk do të ishte kështu, pra nëse demokracia nuk do të ishte ekzekutuar në instrumentin më të rëndësishëm të saj që janë zgjedhjet, ky njeri nuk do të ishte duke treguar përralla për atë që nuk ka bërë dhe për atë që nuk do të bëjë në të ardhmen, por do të ishte duke u marrë me avokatët e tij mbrojtës sepse do të kishte punë me drejtësinë për çfarë i ka bërë vendit bashkë me ortakët e tij”, theksoi Basha.

“Sigurisht ai që qëndron ulur këtu mbrapa do thotë që këto janë fjalë, që gjërat po shkojnë mirë, që Shqipëria po ecën kryelartë falë veprave të lavdishme të kësaj qeverie dhe unitetit parti-popull, se këto që unë shpreh janë pjesë e lojës së vjetër pozitë-opozitë, e me radhë e me radhë…Po a është e vërtetë kjo? A janë këto që unë deklaroj sot para jush subjektive? Produkt i verbërisë së opozitës që nxinka gjithçka, siç shprehet ai dhe kasnecët e tij?!”, u shpreh Basha.

“Për t’i dhënë përfitimin e dyshimit, më lejoni t’ia bëj autopsinë kufomës së kësaj qeverie, jo me bisturitë tona, por me ato të partnerëve dhe organizatave ndërkombëtare: Fillojmë me Bankën Botërore, sipas të cilës Shqipëria ka nivelin më të lartë të varfërisë në Ballkan. Gati gjysma e bashkëqytetarëve tanë jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë”, shtoi Basha.

“Vazhdojmë me Eurostatin, sipas të cilit Shqipëria është vendi i fundit në Europë për të ardhurat për frymë.  Përsëri Eurostati, shqiptarët kanë pagën minimale më të ulët dhe konsumin individual më të vogël për frymë në Europë. Nga Eurostati vijnë edhe shifrat për eksodin masiv të shqiptarëve, sipas të cilave ke konkurruar me Asadin e Sirisë për azilkërkuesit që janë shfaqur dyerve të Europës gjatë keqqeverisjes tënde”, nënvizoi Basha.

“Ky është realiteti. Në vend që të ulni kokën e të kërkoni ndjesë keni pacipësinë të mburreni. Së paku këtë t’jua kishit kursyer shqiptarëve: mburrjet dhe vetëlavdërimet mbi varfërinë, që janë për njerëzit e thjeshtë njësoj si t’ju rrotullosh thikën në plagën e hapur”, theksoi kreu i PD.

“Korrupsioni është një tjetër thagmë e juaja. Nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Shqipëria cilësohet si vendi më i korruptuar i Ballkanit, ndërsa Transparency International e konsideron korrupsionin në nivelin e kapjes së shtetit. Banka Botërore dhe Banka Europiane Për Rindërtim dhe Zhvillim të rendisin të dytin në botë, pas Zambias për nivelin e ryshfetit, me shifra 3 herë më të larta se ato të 2013-ës”, tha Basha.

“Sigurisht këto ndikojnë te klima e biznesit, për të cilën Shqipëria renditet e fundit në Europë në raportin më të rëndësishëm Doing Business! Je në listën ‘gri’ të Moneyval për pastrimin e parave, e sapo e zbrite edhe 28 vende, sigurisht parave të krimit dhe korrupsionit. Për OKB-në je prodhuesi kryesor i hashashit në Europë, si të vetmin produkt me të cilin njihet qeverisja jote, ndërsa fermerët shqiptarë që punojnë ndershmërisht tokën i ke lënë pa mbështetje, me subvencionet direkte më të ulëta në rajon.  Edhe aty ku jepen me pikatore, jepen kryesisht për korrupsion dhe për të blerë vota”, u shpreh Basha.

“Sipas UNESCO-s je një nga vendet me financimet më të ulëta për arsimin, vetëm 2.3% e PBB-së, më i ulëti në 20 vjet! Shqipëria renditet e fundit në Europë sa u takon shpenzimeve për shëndetësinë, gjithmonë sipas Eurostat. Ndërsa Banka Botërore thekson se e ke renditur Shqipërinë në krah të vendeve afrikane për numrin e mjekëve për banorë dhe se qytetarët kanë pagesa maksimale nga xhepi, duke hedhur në koshin e plehrave gënjeshtrën e shëndetësisë falas.  Dhe kur pandemia trokiti në derë, qytetarët hynë në borxhe për të shpëtuar jetët e tyre për shkak të një pushteti që dha mbështetjen më të ulët ekonomike në Europë. Këtë nuk e them unë, por Fondi Monetar Ndërkombëtar”, tha Basha.

“Borxhi publik ka dalë nga binarët, duke kërcënuar të ardhmen e brezave. E gjete në 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Erdhe në pushtet duke bërtitur e duke cituar Luigj Gurakuqin “a ka ma keq se me la borxh me borxh”. Premtove se do ta ulje borxhin dhe e çove mbi 80%, më të lartin në rajon. Sepse nëse zgjedhjet nuk do të ishin goditur për t’ju mohuar qytetarëve shprehjen e vullnetit të tyre të lirë, askush me bilancin e tij të zi, nuk do të kishte shansin të dilte në këtë foltore për të përsëritur gënjeshtra të reja dhe për të amnistuar krime dhe dështime të vjetra”, u shpreh Basha.

“Dhe mund të vazhdoj kështu me orë të tëra, duke numëruar të këqijat dhe poshtërsitë që i keni bërë shqiptarëve dhe Shqipërisë, nga aferat më të vjetra, tek ato më të reja, si ajo e portit të Durrësit. Nga dështimi i reformës në arsim, te kolapsi nën peshën e PPP-ve korruptive, i reformës në shëndetësi. Nga reforma e falimentuar territoriale, që u qëndis si një këmishë force për t’u shërbyer interesave tuaja politike, por jo qytetarëve, tek e sëmura e madhe, që është reforma në drejtësi. Një e sëmurë që mbahet e intubuar nga partnerët, por e goditur dhe e rrezikuar nga virusi i korrupsionit i kësaj pakice që e ka kapur për të penguar ndëshkimin e merituar të eksponentëve të saj të korruptuar e të lidhur me krimin!”, shtoi Basha.

“E pas kësaj ekspozeje të shkurtër, që shqiptarët e njohin mirë sepse pasojat i kanë vuajtur dhe i vuajnë në lëkurën e tyre, pyetja që ngrihet është ku i gjetët votat? Dhe përgjigja e menjëhershme vjen prej një tjetër raporti ndërkombëtar, atij të OSBE/ODIHR, i cili konfirmon masakrën zgjedhore. Aty thuhet se ka patur blerje masive të votave dhe presion ndaj votuesve. Se partia në pushtet dhe shteti janë shkrirë në një. Se asetet publike janë keqpërdorur në avantazh të partisë në pushtet, pra abuzim me pushtetin dhe funksionet publike! Keni rritur fiktivisht punësimin në administratën publike, duke shtuar mbi 12 mijë vetë, për qëllime elektorale, keni ushtruar presion mbi administratën publike për të votuar partinë në pushtet”, tha Basha.

“Raporti thotë se keni përdorur fonde e rindërtimit për të ndikuar votën. Keni përdorur legalizime në këmbim të votës. Keni vjedhur të dhënat private dhe personale të shqiptarëve duke ngritur sistemin kriminal të patronazhistëve për të ushtruar përmes këtij sistemi presione dhe shantazhe ndaj qytetarëve. Keni përdorur grupe kriminale për të ushtruar presion ndaj zgjedhësve. Keni ndryshuar Kushtetuën në mënyrë të njëanshme, në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ndryshuat për qëllimet tuaja fletën e votimit, çka solli numër rekord votash të pavlefshme”, u shpreh kreu i PD.

Po ashtu, shtoi Basha, “raporti flet edhe për përdorim e turpshëm të komitetit politik të ekspertëve, për të mbyllur kufijtë dhe për t’iu mohuar të drejtën e votës qindra-mijëra shqiptarëve në emigrim. Mjafton një nga rekomandimet prioritare që t’i vërë vulën rrëzimit të këtyre zgjedhjeve, po ua lexoj: Shteti duhet te garantojë të drejtën për një votë të lirë dhe të fshehtë. Duhet ndalur çdo forme presioni për të zbuluar nëse dhe si qytetarët kanë votuar. E keni lexuar apo jo? Ngjan si pika uji me raportin e Bjellorusisë së Lukashenkos. Mjafton kjo fjali që rëndon si gur varri mbi zgjedhjet e vrara”.

“Kjo, të dashur bashkëqytetarë, është vetëm ajo që vëzhguesit e huaj kanë konstatuar për masakrën zgjedhore të 25 prillit. Por ju e dini mirë se ajo ishte shumë më shumë se kaq, ndaj dhe ndërthurja e partisë, krimit dhe oligarkisë, e kanë deligjitimuar rezultatin e një procesi zgjedhor që nuk kishte lidhje me demokracinë dhe është i papranueshëm për një vend anëtar të NATO-s dhe pretendent për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Ndaj edhe imponimi i një realiteti të rremë nuk zgjidh asgjë për shqiptarët, problemet e të cilëve janë dhe do të jenë po ato që kanë pasur para masakrës zgjedhore, për sa kohë ata që kanë prodhuar këtë gjendje ekonomike, politike dhe sociale, ndalën dhunshëm ndryshimin. Kështu vdesin demokracitë. Kështu humbet Shqipëria dhe fiton autoritarizmi!”, tha Basha.

“Që Shqipëria të dalë nga ky udhëkryq, që shqiptarët të shpëtojnë nga armiqtë e qeverisjes së mirë, kërkohet një zgjidhje politike. Natyrisht ajo nuk mund të vijë vetëm nga ne, as nga ai që i ka shpallur luftë demokracisë dhe bashkëjetesës demokratike, por duhet të vijë si një bashkëpunim i ngushtë me shoqërinë shqiptare, që prej kohësh ka shprehur dëshirën e ngutshme për ndryshim”, vijoi Basha.

“Jam i bindur se në këtë betejë midis së shkuarës dhe të ardhmes, kjo Parti Demokratike, mbi vlerat dhe parimet perëndimore të së cilës Shqipëria u ngrit nga hiri i një regjimi gjakatar, ka forcën, energjinë dhe vizionin për të sfiduar çdo regjim dhe për të përqafuar ambicien e shumicës së shqiptarëve që duan ndryshim”, theksoi ai.

“Në momente të vështira të historisë, shprehjet më fisnike të angazhimit kanë qenë përherë zgjedhjet e guximshme, të cilat kanë krijuar mundësi që deri në një moment më parë dukeshin të pamundura, të paarsyeshme. Gjithmonë ka ekzistuar një hapësirë midis qytetarëve dhe partive, për shkak të pakënaqësive, zhgënjimeve apo antipative të reja apo të vjetra. Në disa momente kjo hapësirë është si një hendek i madh, shpesh herë për shkak të partisë që nuk reflekton mjaftueshëm shoqërinë. Ndërsa në momente të tjera kjo hapësirë është vetëm një hap larg, sepse qytetarët dhe partitë shohin mundësinë e ndryshimit nëpërmjet njëri-tjetrit. Ky moment ekziston sot, dhe është detyrë qytetare të hedhim një hap drejt njëri-tjetrit”, vijoi Basha.

“Sfidat që kemi përpara janë të shumëllojshme. Nga ato madhore, si frenimi i shpopullimit, që po mpak familjet dhe po mbyll shkolla anembanë vendit, tek ato të përditshmet por jo më pak të rëndësishme, që kanë të bëjnë me kostot e jetesës, me shkollimin e fëmijëve, me punësimin, lirinë e sipërmarrjes dhe krijimin e kushteve për një jetë më të mirë këtu në vendin tonë”, tha ai.

/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.