“Ballkani i Hapur”, mekanizmi për të përshpejtuar ndërtimin e institucioneve evropiane në shtetet tona

TIRANË 16 shtator /ATSH-I.Vata/ Kryeministri Edi Rama ndërsa prezantoi sot para Kuvendit programin qeverisës për mandatin e tretë, u ndal edhe te nisma “Ballkani i Hapur”, duke theksuar se kjo nismë “nuk është konspiracion rus apo kinez për të ringjallur Jugosllavinë, siç nuk është asesi një devijim nga rruga e anëtarësimit të integrimit evropian, apo nga korniza e Procesit të Berlinit”.

“Jo! Të gjitha këto janë përralla me gogol, për të treguar pranë zjarrit digjital me një luftë nga kolltuku dhe nga Facebook-u, me një armik të deridjeshëm të cilin Kosova, Shqipëria, krejt kombi shqiptar e kanë mundur përfundimisht si armik në luftën reale me bombola e me pushkë, sot e 20 e kusur vite më parë, falë SHBA e aleatëve më të mëdhenj evropianë, kundër xhahilit të Beogradit si dhe falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësve të saj. Foshnjat që lindën në atë luftë dhe që sot po bëhen djem e vajza për t’u martuar, nuk ja kanë borxh politikës që luan luftash me Serbinë as në Prishtinë, as në Tiranë. Nuk ja kanë borxh që Kosova, e nxitur dhe nga Tirana, për politika që s’kanë të bëjnë fare me kombin, që s’kanë të bëjnë fare me perspektivën e shqiptarëve, por kanë të bëjnë vetëm me luftë elektorale këtu dhe atje, t’i humbasë në paqe si në një ruletë kazinoje politike, ku bllofet në politikë të brendshme e të jashtme pasojnë njëra-tjetrën, të gjitha kreditet ndërkombëtare që janë fituar me gjak, janë fituar me dhimbje, me punë shumë të mundimshme diplomatike. Por natyrisht ne për Kosovën mund të flasim, jo të vendosim. Iu takon autoriteteve të Kosovës të marrin vendimin, ndërsa neve na takon thjesht t’i respektojmë. Ama, e njëjta gjë vlen dhe anasjelltas, për Shqipërinë vendosin autoritetet e Shqipërisë dhe ata duhet t’i respektojnë vendimet tona. Nëse nuk na pëlqejnë vendimet e njëri-tjetrit, duhet t’i diskutojmë vëllazërisht e mendjehapur, por kurrë t’i shpallim si tradhtarë, filorusë e filoserbë, e si nostalgjiko-jugosllavë ata që mendojnë ndryshe, duke luajtur me dhimbjet e njerëzve të përvëlur në mish e në shpirt nga lufta, por dhe me padijen e atyre të kësaj ane dhe asaj ane që pushkët i nxjerrin në Facebook për të sharë në emër të një patriotizmi, i cili vetëm patriotizëm nuk është”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se ““Ballkani i Hapur” nuk merr përsipër asgjë jashtë Procesit të Berlinit dhe nëse dikush del e thotë është kjo gjëja këtu, hajde ta diskutojmë. Ta nxjerrim vetë gomarin nga balta, pa pritur të na ikë edhe një 10-vjeçar, duke shprehur që do vijnë të tjerët t’i tërheqin litarët për ne nga Berlini e Parisi, ndërkohë që ne rrimë e thurim tym me njëri-tjetrin. Padyshim, nuk diskutohet mbështetja, ndihma, inkurajimi i tyre është tejet i çmuar, siç është e padyshimtë që “Ballkani i Hapur” është një mekanizëm më shumë për ta për të përshpejtuar ndërtimin e hapësirave dhe të institucioneve evropiane në shtetet tona. Destinacioni ynë është realitet i Europës së Bashkuar, jo fantazitë e atyre që iu ka mbetur ora në turkofolkun nacionalist të ’19”.

Ai theksoi se ““Ballkani i hapur” është i njerëzve që nuk duan të presin me orë të tëra nëpër kufij, është i fermerëve dhe flas kryesisht atyre shqiptarë që janë sot eksportuesit më të mëdhenj në rajon, është i tregtarëve që nuk duan të kontrollohen nga disa palë doganierë e inspektorë, është i turistëve që nuk kanë kohë të zbresin në një vend e për të kaluar te tjetri të përzhiten në radhë kilometrike, është i punëtorëve, i atyre që duan të punojnë, të gjejnë një vend pune më të mirë, të synojnë të shkojnë diku tjetër, dhe që nuk duan të merren me viza, dokumente, leje qëndrimi. “Ballkani i Hapur” është i studentëve e pedagogëve, që duan të mësojnë gjëra të reja e të shkëmbejnë idetë. Është i tregjeve të hapura. Është për kulturat tona, që duhet të ndërveprojnë, siç ndodh kudo. Është i shteteve që duan të bëhen pjesë e Evropës së Bashkuar, që përmes kësaj nisme hyjnë në një proces të ri, siç do duhet të hyjnë kur do të bëhen pjesë e BE”, theksoi ai.

Rama shtoi se, “në një kornizë më të vogël, këto shtete mësojnë, përballen me vështirësi, që në momentin e hyrjes në BE, ato kanë nxjerrë disa konkluzione. Ku është tradhtia këtu, ku është konspiracioni, ku është asimilimi, ku është dreqi këtu? Apo do të përfitojë Serbia këtu se është më e madhe? Neve nuk na intereson fare çfarë përfiton Serbia, ne na intereson sa përfiton Shqipëria dhe Kosova, por dhe Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ku janë popullsi shtetformuese dhe kudo janë janë pakicat shqiptare në Ballkan. Serbia është më e madhe, por është më e madhe veç e veç, se shqiptarët së bashku bëjnë që serbët janë vetëm njëri nga dy kombet e mëdhenj të Ballkanit”.

“A duhet të kërkojë falje Serbia për krimet e luftës? Po, nuk e luan topi. Pa u vënë aty kërkesa për falje dhe pastaj falja, nuk mbyllet kurrë saga e këtij konflikti. Por si arrihet kjo? Duke u izoluar apo duke u hapur, duke u afruar, duke rënë dakord për gjëra që janë në dobi të mirëqenies ekonomike e sociale. Nëse nuk paraqitet si popull i përkushtuar ndaj paqes, populli shqiptar është i destinuar të humbasë. Me rrugën e lehtë të luftës imagjinare, me facebook, kolltukë, ekrane, ka vetëm rrënim dhe izolim, këtë di të them unë. Megjithatë, biem apo jo dakord për “Ballkanin e Hapur”, dua që të bashkëpunojmë ngushtësisht me qeverinë e Kosovës. Shqipërisë nuk mund t’i jepen leksione dhe vendimet sovrane të Shqipërisë nuk mund të negociohen asgjëkundi! Koha do ta tregojë se kush ka të drejtë. Të merremi me punë konkrete në dobi të njerëzve dhe të jemi të angazhuar”, tha Rama.

Rama tha se sot shihemi me respekt nga të gjithë si pikë referimi në Ballkan.

“Besoj se nuk duhet thënë shumë për faktin se Shqipëria sot nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë e para 8 viteve në arenën ndërkombëtare. Nëse gjatë këtyre viteve fabrika e baltës politike nuk do të kishte eksportuar aq shumë prodhim nëpër zZyrat e Europës, se fatmirësish në Amerikë, kjo baltë ka kohë që nuk shitet, ky vend nuk do të kishte hequr picirin në labirinte e integrimit europian. Jo se do ta kishim marrë më parë sesa kur e morëm vendimin për të hapur negociata nga Këshilli Europian, as se do të ishte bërë tanimë konferenca e parë ndërqeveritare, jo fare, sepse as njëra, as tjetra nuk vareshin fare sa kushte, nënkushte, stërkushte përmbushnim ne, në ato që shtoheshin pasi Komisioni Europian jepte rekomandimin për hapjen e negociatave, pasi Shqipëria i kishte plotësuar kushtet dhe bëheshin si ata vargjet e fiqve të thatë sa në një parlament në një tjetër sa andej, sa këndej në Europë, tamam si gjëegjëzat që hutojnë fëmijët, por tanimë edhe fëmijët e kanë kuptuar se ato punë varen sesi e kanë hallin e tyre ata që e kanë në dorë atë punë. Jo sa i kemi zgjidhur ne hallet përkatëse të çdo etape të procesit. Dhe kjo për ne nuk ka asnjë rëndësi. Ne e kuptojmë më së miri këtë, është një mundësi funksionimin në Bashkimin Europian për shkak të 1001 divergjencash dhe problematikash të brendshme, por kjo nuk ndryshon asgjë në përpjekjen tonë për të ecur përpara dhe për t’i përmbushur të gjitha kushtet, që Shqipëria të jetë këtu për shqiptarët një shtet i standardeve të BE-së. Pastaj se kur hapet konferenca dhe se kur mbyllet, kjo nuk është në dorën tonë dhe kjo nuk është çështja jonë. Por çështja është se balta që importohej nga këtu ulte Shqipërinë, e bënte të dukej si një stan me lepuj, ose siç ma pati thënë dikur një zonjë, na bënë të shfaqemi në sytë e tyre si i vetmi vend në historinë e integrimit europian dukej që njëra palë paraqitej si zëdhënëse e vullneti për integrim, kurse pala tjetër si luftëtare kundër regjimit në mërgim”, tha ai.

Në vijim, Rama tha se “megjithatë sot Shqipëria as nuk diskutohet më nga askush, se është gati të ulet në tryezë me BE për çeljen e negociatave por do ndodhë çdo të ndodhë me Bullgarinë, as kjo nuk na pengon që të vazhdojmë punë tonë, dhe më e rëndësishmja, shihemi me respekt nga të gjithë si pikë referimi në Ballkan. Kush mund ta imagjinonte deri 8 vite më parë që Kancelarja e Gjermanisë do të vinte dy herë në Tiranë, nga një histori 100 vite që nuk ka ardhur asnjë herë. Një herë për vizitën e parë bilaterale në Shqipëri të një kancelari gjerman, dhe herën e dytë për të bërë vizitën bilateral dhe për të bërë dhe një samit me të gjithë përfaqësuesit më të lartë të Ballkanit Perëndimor”.

Ai shtoi se ka shembuj të tjerë edhe për faktin se Shqipëria u bë vendi i stërvitjes taktike më të madh në Europë, e ka një lidhje.

“Nuk kam si mos ta them sot, me krenari madje, që në çdo instancë kombëtare Shqipëria nuk e mbush karrigen si një vend guak dhe inferior para të huajve, por si një shtet europian nga Ballkani që ka zërin dhe qëndrimin e vet të respektuar dhe kam marrë disa mesazhe përgëzimi nga autoritetet e dorës së parë ndërkombëtare për qëndrimin e Shqipërisë për çështjen e Krimesë. Kjo nuk ka të bëjë as me një qëndrim, as me një fjalim, por ka të bëjë me një vazhdimësi. Fola këtu për pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë, përtej individëve, e cila është rezultat i dinamikës së re që ne i dhamë si shumicë qeverisëse politikës sonë të jashtme. Se nuk ra nga qielli kryesimi OSBE-së nga Shqipëria, se është kërkuar më parë, po janë habitur njerëzit se çfarë kërkojnë! Nuk janë as futja e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Kombet e Bashkuara, vetëm para disa viteve Tiranën (ju kujtoj) nuk e vizitonte më askush, përveç ndërmjetësuesve të huaj, pare se ne të vinim në pushtet. Ndërsa kryeministrin e fundit nuk e ftonte më askush në takime bilaterale”.

Rama foli për pozicionin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, i cili tha se “deri dje një gjysmësatrapi ballkanik atje në Shkup i trajtonte shqiptarët si pakicë kombëtare, duke bërë sikur bashkëqeveriste me ta nuk u hapte rrugë as për të drejtën elementare të barazisë së gjuhës shqipe, si gjuha e një populli pa të cilën ai shtet nuk rri dot në këmbë, sepse shqiptarët në Maqedoni janë popullsi shtetformuese. Aty ishin faktorët politikë shqiptarë në Maqedoni, por ishte politika e jashtme e Shqipërisë me platformën e saj të Tiranës e cila ndikoi në ato procese. Prandaj duhen pasur parasysh fakte që janë prodhuar në dobi të kombit dhe popullit shqiptar nga politika jonë e jashtme”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.