Votohet nesër në Kuvend qeveria e re, Balla: Seanca e ndarë në tri pjesë

TIRANË, 15 shtator/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha sot në një prononcim për mediet pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve se, seanca e nesërme plenare do të jetë e ndarë në tri pjesë.

Balla informoi se në Konferencën e kryetarëve u miratua me konsensus pika e rendit të ditës, që lidhet me kohën e debatit, lidhur me miratimin në Kuvend të përbërjes së qeverisë.

“Ne kemi rënë dakord që kjo seancë të ndahet në tri pjesë. Pjesa e parë është prezantimi i programit, në fund të kësaj faze merren të gjitha pyetjet dhe më pas hapet debati, në një fazë të tretë, që kulmon me votimin. Votimi është një i vetëm, qoftë për përbërjen e ministrave, qoftë të programit”, tha Balla.

Ai tha se Konferenca e Kryetarëve ka pranuar kërkesën e grupit parlamentar të opozitës që çdo deputet të flasë 10 minuta.

“Unë kam kërkuar në fillim të vendosim një kohë të reduktuar. Kjo nuk është pranuar nga kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës, të cilët kanë thënë se rregullorja e Kuvendit përcakton se çdo deputet ka të drejtë të flasë jo më shumë se 10 minuta. Kështu do të jetë. Prej nesër hyjmë në seancën e rëndësishme të prezantimit të përbërjes së qeverisë dhe të programit dhe do të ecim hap pas hapi që të kemi qeverinë e re të votuar nga Kuvendi”, tha Balla.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.