Tërmeti me magnitudë 4.7 ballë lëkund veriun e Shqipërisë, epiqendra në Koplik

TIRANË 15 shtator /ATSH-I.Vata/ Një tjetër lëkundje e tokës është regjistruar rreth orës 14:33 të së mërkurës në qarkun e Shkodrës.

Lajmi bëhet i ditur nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit i cili njofton se tërmeti ka qenë me magnitudë 4.7 ballë sipas shkallës Rihter, me epiqendër 2 km larg Koplikut.

Lëkundja e tokës është ndjerë në zonat e qarkut të Lezhës e deri në Tiranë. Kjo është lëkundja e tretë e tokës për ditën e sotme afër Koplikut.

Në mëngjes u raportuan dy lëkundjet e para me magnitudë 3.4 dhe 4.1 ballë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.