Rama: Shqiptarët, të lirë të lëvizin në Europë me pasaportën dixhitale të vaksinimit

TIRANË, 15 shtator/ATSH/ Prej sot, shqiptarët janë të lirë të lëvizin lirisht në Evropë me pasaportën dixhitale të vaksinimit.

Bashkimi Evropian miratoi sot vendimet ekuivalente për certifikatën dixhitale Covid-19 edhe për Shqipërinë.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi superlajm.

“Superlajm. Shqiptarët të lirë të lëvizin lirisht në Evropë me pasaportën dixhitale të vaksinimit. BE aprovon Shqipërinë, Izraelin dhe Marokun, duke dhënë edhe një shembull kuptimplotë të progresit tonë digjital, për të gjithë ata që dëshirojnë t’u gëzohen edhe arritjeve, përveçse të shohin vetëm të këqija deri edhe ku nuk ka”, deklaroi Kryeministri.

Mbi 700 mijë qytetarë kanë marrë plotësisht të dy dozat e vaksinës që nga fillimi i fushatës “Shqipëria buzëqesh”.

Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 1,982,130 vaksina antikovid.

Karçanaj: Certifikata e vaksinimit, me kod të firmosur elektronikisht sipas standardeve të BE-së
Edhe drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Linda Karçanaj përcolli lajmin se certifikata e vaksinimit që merret në e-Albania njihet zyrtarisht nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.
Ajo solli në vëmendje punën e kryer për të arritur deri këtu.
“Shqipëria ishte një nga vendet e para që krijoi regjistrin elektronik të vaksinave dhe lëshoi certifikatën e vaksinimit, që në muajin janar 2021. Certifikata e vaksinimit e BE, hyri në fuqi zyrtarisht në 1 korrik 2021 e rrjedhimisht duhej t’iu përshtateshim standardeve të reja në përputhje me BE për të lehtësuar lëvizjen e shqiptarëve”, u shpreh Karçanaj.
“Me shumë këmbëngulje, ia dolëm të realizonim brenda pak javësh të gjitha hallkat e nevojshme teknike për lidhjen e Shqipërisë në platformën evropiane të certifikatës së vaksinimit (Green Pass) dhe tashmë certifikata e marrë në portalin e-Albania do të mund të njihet elektronikisht në të gjitha vendet e Bashkimit Europian, sipas rregullave respektive të secilit vend”, vijoi ajo.
Sipas Karçanajt, certifikata do të ketë të njëjtën pamje që ka pasur deri tani, por do të ndryshojë kodi QR në përmbajtje të saj, i cili nga ky moment është i formatuar dhe i firmosur elektronikisht sipas standardeve të vendosura nga BE së fundmi.
“Për këtë arsye, të gjithë ju që jeni pajisur me certifikatë vaksinimi përpara ditës së sotme, jeni të lutur ta shkarkoni atë edhe një herë. Lehtësisht mund ta printoni ose ta ruani në celularin tuaj certifikatën për ta paraqitur në çdo moment që ju kërkohet”, tha ajo.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.