Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen viziton Tiranën më 28 shtator

TIRANË, 15 shtator/ATSH/ Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të vizitojë Shqipërinë më 28 shtator. Lajmin e bëri të ditur kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vjen në Shqipëri në kuadër të vizitës së saj në Ballkanin Perëndimor në mënyrë që të dërgojë një sinjal të fortë të angazhimit të BE-së në procesin e pranimit.

”Në një botë më të kontestuar, mbrojtja e interesit tonë nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e vetes. Ka të bëjë edhe me krijimin e partneriteteve të forta dhe të besueshme. Ky nuk është luks. Është thelbësor për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin tonë në të ardhmen. Dhe kjo punë fillon duke thelluar partneritetin tonë me aleatët tanë më të afërt”, tha Ursula von der Leyen, duke folur për vizitën.

”Bashkimi Evropian dhe SHBA do të jenë gjithmonë më të forta së bashku. Dhe sigurisht e njëjta gjë vlen edhe për fqinjët tanë në Ballkanin Perëndimor. Para fundit të muajit, unë do të udhëtoj në rajon për të dërguar një sinjal të fortë të angazhimit tonë në procesin e pranimit. Ne ua kemi borxh të gjithë atyre të rinjve që besojnë në të ardhmen në Evropë”, tha von der Leyen.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.