Me mbështetjen e AZHBR-së, serra moderne në Kavajë zgjeroi kultivimin në 20 mijë fidanë

TIRANË, 15 shtator /ATSH/ Serrat me fidanë kryesisht frutorë, sipas standardeve më të mira që garantojnë prodhim cilësor, po shtohen vazhdimisht, duke parë edhe kërkesat në rritje të tregut.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca solli shembullin e Indritit, fermer në Kavajë, që me mbështetjen e AZHBR-së nëpërmjet Programit IPARD II, ka  ngritur një serrë moderne për kultivimin e fidanëve të ndryshëm frutorë.

Gjatë vizitës në fermën e tij, Krifca e gjeti Indritin duke u kujdesur për fidanët e boronicës në serrën “Agrokorani”.

“Ka aktualisht të mbjellë rreth 20 mijë fidanë, kryesisht frutorë, ama ndërtimi i saj falë konstruksionit metalik dhe lartësisë prej 7 m ofron më shumë mundësi për prodhimin e kulturave të ndryshme”, u shpreh Krifca.

Shtrihet në një hapësirë prej 7500 m2 dhe është një investim model i ndodhur në Kavajë.

Sektori i bujqësisë është ndër sektorët me kontributin më të madh në Prodhimin e Brendshëm Bruto, që jep rreth 20 % të PBB-së.

Ndërkohë që eksportet bujqësore, kanë shënuar rritje nga rreth 100 milionë dollarë në 400 milionë dollarë.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.