Akuzat e PD-së për gjoba, Bushati: 91 % e bizneseve e kanë taksën zero

TIRANË 15 shtator/ATSH-I.Vata/ Kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën, Ervin Bushati deklaroi sot se akuzat e PD-së për gjoba selektive ndaj biznesit janë kamerdare politike që lëshon PD në detin e trazuar të problemeve të veta.

I ftuar në një intervistë televizive, Bushati i konsideroi akuzat e PD-së për gjoba ndaj biznesit si të pavërteta me argumentin se 91 % e biznesit e kanë taksën zero.

“Qeveria votohet nesër. Qeveria ka ndihmuar shumë bizneset dhe qytetarët e Shqipërisë. Mos të harrojmë se më shumë se 91 % e bizneseve nuk paguajnë asnjë taksë. Taksa është zero. Kjo e gjitha për të ndihmuar bizneset familjare, bizneset e vogla, aq më tepër në kohën e një sfide të madhe siç ishte pandemia. Shqipëria, ndonëse nuk është një vend i pasur, sot është ndër vendet që është tërësisht e hapur në ekonomi”, tha ai.

Duke folur për largimin e Berishës nga grupi i PD-së dhe ndarjen e saj në dy kampe, Bushati tha se “hallet e Partisë Demokratike nuk janë puna jonë”.

“PS është votuar në mënyrë masive nga qytetarët, ka marrë 74 mandate. Ka marrë më shumë vota se në 2013, 2017 dhe është në pozicionin e saj më të fortë elektoral. Kjo tregon se ka një diferencë shumë të madhe ndërmjet Partisë Socialiste dhe PD-së”, u shpreh ai.

“PD do vazhdojë të ketë probleme, por nuk janë në fokusin tonë hallet dhe problematikat e Partisë Demokratike. Ne jemi votuar që të qëndrojmë në fokusin e punëve që na janë caktuar. PS është këtu sepse qytetarë e kanë menduar dhe e kanë vendosur që është forca më e përgjegjshme dhe presin nga PS, ndërsa telenovelat mund t’i shohin te PD”, tha ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.