Agrobiznesi shqiptar në panairin e bimëve mjekësore në Gjermani

TIRANË, 15 shtator /ATSH/ Agrobiznesi shqiptar do të marrë pjesë për të pestin vit radhazi në panairit më të madh në botë për produktet bio dhe bimëve mjekësore, ‘Biofach’, i cili mbahet çdo vit në Gjermani, ku bizneset shqiptare janë përgëzuar për cilësinë e produkteve si dhe kanë arritur që të rrisin eksportet e tyre në vende si Gjermania, Zvicra, Franca, Italia, SHBA, Kanada etj.

Edicioni i këtij viti “Biofach”, Panairi i Ushqimit Organik, zhvillohet nga data 15 deri 18 shkurt 2022, në Nuremberg, Gjermani.

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), mbështet organizmin e stendës shqiptare në panairin e sektorit organik “Biofach”, duke u krijuar lehtësi sipërmarrjeve dhe biznesit të ekspozojnë dhe promovojnë prodhimet bio “Made in Albania” në tregun e huaj.

Sipas AIDA-s, kushti kryesor i detyrueshëm është që kompania dhe produktet e ekspozuara duhet të jenë të certifikuara si prodhime organike sipas standardit të Bashkimit Evropian.

BIOFACH është një nga panairet më të rëndësishme në sektorin organik, i cili ju mundëson bizneseve bashkëpunime dhe shtrirje në tregjet e huaja, nënshkrimin e kontratave të reja dhe krijimin e partneriteteve me kompanitë pjesëmarrëse.

Shqipëria në totalin e eksporteve bujqësore pas grupit të perimeve të freskëta vijon të kryesojë edhe me eksportet e bimëve mjekësore. Prodhimi i Bimëve Mjekësore dhe Aromatike (BMA) ka ardhur duke u rritur çdo vit në vend.

Të dhënat e vitit 2020 tregojnë se sipërfaqja e zënë prej tyre ishte 6331 ha, ndërsa prodhimi i realizuar afërsisht 15 000 tonë. 95 % e këtij prodhimi është eksportuar në SHBA dhe Gjermani.

EUROSTAT e rendit vendin tonë të 16-tin në nivelin botëror për sa i përket eksporteve BAM.

Në Shqipëri ka mbi 7 mijë lloje bimësh, të cilat formojnë thuajse 32 % të të gjithë florës së Evropës.

Eksporti i këtyre bimëve ka rritur të ardhurat për familjet e zonës dhe ka nxitur punësimin.

Sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike ka krijuar mundësi punësimi për rreth 100 mijë familje që jetojnë në zonat rurale të vendit. Ndërsa gjeneron rreth 18 milionë euro nga eksporti, i listuar si sektori i dytë më i madh në eksportin bujqësor.

Në 2020 Shqipëria ka eksportuar mbi 15 000 tonë bimë mjekësore dhe aromatike, me vlerë mbi 50 milionë euro.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.