Të ardhurat nga Dogana rekord historik, 119.3 miliardë lekë në 8 muaj

TIRANË, 14 shtator/ATSH/ Të ardhurat nga Doganat gjatë 8-mujorit të këtij viti u realizuan në masën 119.3 miliardë lekë, nga 109.7 miliardë lekë të planifikuara, ose rreth 9.6 miliardë lekë më shumë.

Referuar statistikave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në krahasim me 8-mujorin e 2020-ës janë realizuar rreth 23.3 miliardë lekë më shumë të ardhura.

Sipas DPD-së, të ardhurat e mbledhura në buxhet përgjatë këtij 8-mujori kanë realizmin më të lartë të çdo 8-mujori në historinë e doganave.

“Rritja e të ardhurave është ndikuar në masën 78 % nga rritja e sasive të importit dhe në masën 22 % nga rritja e çmimeve. Vlen të theksohet se rritja e çmimeve në totalin e saj është amortizuar nga rënia e kursit të këmbimit me efekt negativ rreth 2 miliardë lekë“, bën të ditur DPD.

DPD rendit edhe faktorët që kanë ndikuar tek çdo taksë, krahasuar me një vit më parë.

“Nga taksa doganore do të mblidhen 767 milionë lekë më shumë nga importi mallrave me origjinë kryesisht Kinë. Nga akciza u mblodhën 5.2 miliardë lekë më shumë dhe ndikim dha rritja e importit të karburantit me 2.8 miliardë lekë, importit të cigareve me 2 miliardë lekë dhe birrës me rreth 180 milionë lekë. Nga TVSH u mblodhën rreth 17.1 miliardë lekë më shumë, e stimuluar kryesisht nga rritja e konsumit të mallrave të konsumit të përditshëm, rritja e karburantit të importit, rritja e importit të automjeteve të përdorura, metaleve bazë, veshjeve dhe tekstileve si dhe gazit të lëngshëm”, bëri të ditur DPD.

Po ashtu, nga renta minerare u mblodhën në buxhet rreth 358 milionë lekë më shumë dhe ndikim pati rritja e sasisë me rreth 14 mijë tonë, si dhe rritja e çmimit mesatar me 40 %.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.