SLLOVAKI – Papa Françesku tërheq vëmendjen me vizitën në lagjen e varfër rome

BRATISLAVË, 14 shtator /ATSH-DPA/ – Sot, në ditën e tretë të udhëtimit të tij në vendin e Evropës Qendrore, papa Françesku do të takojë komunitetin rom në qytetin e dytë më të madh të Sllovakisë, Kosice.

Papa Françesku do të vizitojë kushtet e lagjeve të varfra të romëve në Kosice, ku jetojnë rreth 5 – 6 000 banorë në ndërtesa të amortizuara dhe apartamente parafabrikate.

Romët evropianë përballen me diskriminim dhe pengesa të shumta në qasjen në shërbimet bazë, përfshirë arsimin.

Kjo vizitë konsiderohet si një nga fazat më të rëndësishme të udhëtimit papal.

Papa Françesku, 84 vjeç, ka tërhequr vëmendjen e atyre që jetojnë në periferi të shoqërisë, ata në nevojë dhe ata që përballen me diskriminime të shumta.

Megjithatë, shumë në Sllovaki u befasuan kur lagjja e lidhur me skamjen dhe trazirat shoqërore, u shfaq në itinerarin e papës.

Në ditët para ardhjes së papës në vend, politikanët sllovakë debatuan publikisht se kush ishte “fajtori” për përfshirjen e kësaj vizite në axhendën e papës.  /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.