Rama: “Open Balkan”, mekanizëm për ta përshpejtuar Procesin e Berlinit

TIRANË, 14 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët për shtyp sot në Tiranë me Kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, deklaroi se “‘Open Balkan’ është as më shumë e as më pak, por një mekanizëm për ta përshpejtuar Procesin e Berlinit”.

I pyetur lidhur me ecurinë e Procesit të Berlinit, Rama tha se “do të duhet të shikojmë gjithë këtë proces në një kontekst historik”.

“Kur Kancelarja na ka ftuar në Berlin në 2014-ën, ishte hera e parë në historinë e këtij rajoni, dhe jo në historinë disavjeçare, por në historinë shekullore të këtij rajoni, që liderët e të gjitha vendeve uleshin në një tryezë jo për të vrarë, as për t’u therur, as për të folur për të shkuarën, por për të folur për të ardhmen dhe për të vazhduar argumentin e saj”, tha Rama.

Ky Proces, vijoi ai, “i hapi rrugë një vendosjeje të një komunikimi mes Shqipërisë dhe Serbisë në funksion të zhvillimit rajonal, në kushtet kur pavarësisht distancës së afërt nuk ishin takuar kurrë”.

“Sigurisht që Procesi i Berlinit ka nevojë për kohën e vet. Mekanizmat për t’u vënë në lëvizje në funksion të investimeve janë mekanizma të avashtë, por ama edhe ‘Ballkani i Hapur’ që sot ne e kemi si një nismë të 3 vendeve që synojnë të përfshijnë të 6-a vendet, është rezultat i këtij procesi, sepse ky proces na ka dhënë mundësinë të kuptojmë se nga bashkëpunimi, nga komunikimi dhe ndërveprimi, ne mund të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët. Edhe konfliktet e trashëguara me vite në atmosferën e krijuar në Procesin e Berlinit kanë më shumë zgjidhje”, tha Rama.

Unë besoj, vijoi ai, “se në historinë e këtij rajoni, Angela Merkel ka vendosur një gur kilometrik për gjenerata të tëra dhe do të jenë gjeneratat që do të gjykojnë me objektivitet çfarë ka nisur në 2013, në tryezën e Kancelares”.

“Natyrisht që është legjitime për të gjithë ata që jetojnë në këtë rajon që t’i duan gjërat të bëhen më shpejt, por duhet të kuptojmë se jemi duke kapërcyer dhjetëra, dhe pse jo qindra vjet histori dhe njëkohësisht jemi duke luftuar nga një prapambetje që është shumë e thellë dhe vjen nga shumë larg. Kështu që unë jo vetëm që nuk e quaj dështim, por e quaj realisht një vizion afatgjatë që do të kalojë nga një qeveri në tjetrën, nga një gjeneratë në tjetrën, për të realizuar këtu në rajonin tonë atë që Kancelarja ka paraparë”, tha Rama.

Ai shtoi se “Kancelarja vjen nga një e shkuar që është e ngjashme me tonën. Nuk e kemi pasur dhe nuk do ta kemi për shumë kohë dikë në lidershipin e politikës evropiane që di çfarë është komunizmi, çfarë është diktatura, çfarë është censura dhe çfarë është ndrysja e lirive të njerëzve, në vetë të parë. Kjo realisht ka bërë që qasja jo vetëm e Kancelares, por krejt Gjermanisë ndaj këtij rajoni, të jetë një qasje unikale”, tha Rama.

Rama tha se shpreson se kushdo që do të marrë stafetën të mos i kthejë kurrizin rajonit dhe të vazhdojë të ndikojë.

“Por sido që të shkojë puna në Berlin, rajoni e ka marrë kthesën dhe Ballkani i Hapur është pikërisht vetëdija se ne do t’i çojmë gjërat përpara, pa pritur të na marrin të tjerët për dore, por natyrisht duke bashkëpunuar ngushtë me Gjermaninë dhe duke bashkëpunuar ngushtë me BE-në”, tha Rama.

Rama kujtoi se dikur, kur vendet e Ballkanit ishin në konflikte të mëdha, ose sa po dilnin nga konfliktet, thuhej se procesi i integrimit evropian do të zbuste dhe relativizonte nacionalizmin në Ballkan.

“Kjo është e vërtetë, por ne sot jemi peng i nacionalizmave në BE. Në BE, nuk kemi sot ende asnjë qeveri nacionaliste, por për fat të keq në disa vende, nacionalistët dhe ekstremi i djathtë ndikojnë vendimmarrjen e qeverive të moderuara. Dhe faktikisht edhe kjo që po ndodh sot është pengmarrje e procesit të integrimit nga një vlagë nacionalizmi në një vend”, tha Rama.

Mendoj, vijoi ai, “se asnjëherë deri më sot, edhe pse presionet kanë qenë të mëdha edhe në Gjermani, Kancelarja nuk e ka lidhur procesin e integrimit të vendeve të rajonit me politikën e brendshme, ndërkohë që nuk mund të them të njëjtën gjë për vendet e tjera”.

“Ashtu sikundër Angela Merkel i shpëtoi nderin Evropës kur e vetme qëndroi për të hapur dyert për emigrantët e refugjatët që vinin nga Siria, ashtu edhe në këtë aspekt, presioni i brendshëm nuk është bërë kurrë politika e jashtme e Gjermanisë. Por, ne jemi dhe mund  të jemi për një kohë të gjatë pengje të vetove që lidhen me zgjedhjet nëpër vende të pasura, por edhe më pak të pasura të BE-së”, shtoi Rama.

Rama theksoi se “‘Open Balkan’ është pjellë e Procesit të Berlinit, nuk është një alternativë e Procesit të Berlinit, nuk është një nismë në kontradiktë me Procesin e Berlinit, por është pjesë e Procesit të Berlinit”.

Kryeministri theksoi se “nuk ka ‘Open Balkan’ asnjë gjë brenda që kontradikton me Procesin e Berlinit, përkundrazi, është marrja në dorë e Procesit pa pritur që një ditë të mblidhen diku të tjerët për ne, apo që disa të tjerë në Bruksel ta bëjnë këtë punë për ne.

“Rezultatet kanë filluar të flasin e do të flasin gjithnjë e më shumë dhe ‘Open Balkan’ është asnjë gjë më shumë se sa mjeti i rajonit për të implementuar Procesin e Berlinit. Kush i vendos të dyja kundër njëra-tjetrës, ose thotë që njëra bie ndesh me tjetrën ose e bën me qëllim, ose nuk e kupton”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se “gjëja tjetër e rëndësishme që kemi diskutuar sot me Kancelaren bashkë me kolegët, është që teoritë e konspiracionit: ‘jo po Procesi i Berlinit apo ‘Open Balkan’, apo nismat rajonale, janë të organizuara nga forca të treta apo janë të hedhura këtu nga BE për të na gënjyer ne, që ne të krijojmë këtu një mikro-BE, që mos të na fusin kurrë në BE’, janë dokrra fare”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se “Kancelarja në 2014-ën, në tryezën e Kancelarisë ka thënë këtë shprehje: ‘Ju nuk jeni në BE, por ju jeni europianë dhe pikërisht për këtë arsye, ne duhet të nisim një proces që paralelisht me punën individuale të çdo vendi për t’u bërë anëtar i BE-së, ju së bashku, dhe ne në mbështetje tuaj, të punojmë që rajoni të ngrihet nga pikëpamja politike, ekonomike e sociale”.

“Nuk kemi pse presim të hyjmë në BE që të ndërtojmë autostradat apo infrastrukturën dixhitale, apo tregjet e përbashkëta. Ky është thelbi. Kancelarja me të drejtë i mëshon në mënyrë të vazhdueshme nevojës që 6 vendet të nënshkruajnë marrëveshjet për tregun e përbashkët rajonal. Faktikisht, procesi i dakordësimit mes 6 vendeve është një proces i ngatërruar dhe ajo që kemi parë në të shkuarën është që shpeshherë një vend apo një tjetër bëhet shkak që të gjithë të ngecin. Ndaj ‘Ballkani i Hapur’ është krijuar jo për të përjashtuar njeri, absolutisht, por për të mos u varur nga vetot e njërit dhe nga teoritë e konspiracionit të tjetrit, dhe për të ecur përpara gjithmonë duke pasur parasysh gjithë ‘roadmap’ e Procesit të Berlinit”, tha Rama.

Në fund të ditës, theksoi ai, “Procesi i Berlinit dy gjëra ka: 4 liritë e BE-së në rajon, lirinë e lëvizjes së njerëzve, kapitaleve, mallrave dhe shërbimeve dhe investimet që vijnë nga paketa e Komisionit Europian”.

“Ne duam të ecim më shpejt. Një nga pengesat ka qenë që Serbia nuk e pranonte lëvizjen e lirë të njerëzve, sepse kishte paragjykimin se nëse fusim lëvizjen e lirë si një nga elementët, atëherë lëvizja e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë do të ishte e garantuar. Dhe faktikisht sot është e pabesueshme që Kosova nuk e shfrytëzon këtë për veten e vet, por rri e bën teori konspiracioni për ‘Open Balkan’. Kaq e thjeshtë është. Traseja është e shtruar, Procesi i Berlinit do të vazhdojë, ‘Open Balkan’ është një mekanizëm për ta përshpejtuar, nuk ka asnjë kontradiktë mes të dyjave”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.