Presidenti Duka dhe Sekretari i Përgjithshëm Shulku, në mbledhjen e TEP

TIRANË 14 shtator /ATSH-I.Vata/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, njëherazi anëtar i Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s, Armand Duka dhe Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku morën pjesë ditën e sotme në mbledhjen e TEP (Top Executive Programme), që u zhvillua online për shkak të kushteve të krijuara nga pandemia Covid-19.

Në këtë mbledhje u diskutuan disa çështje të rëndësishme në lidhje me futbollin europian, ku më kryesor ishte diskutimi lidhur me propozimin e qeverisë botërore të futbollit, FIFA-s për të organizuar Kupën e Botës për meshkuj dhe femra çdo dy vite. Ky propozim u diskutua gjatë nga të gjithë përfaqësuesit e Federatave, të cilët paraqitën qëndrimet e tyre lidhur me këtë çështje, ku u shpreh uniteti në  qëndrimin për të evituar tentativat e jetësimit të këtij propozimi që dëmton futbollin dhe elementin financiar e social të tij.

Një tjetër pikë e rendit të ditës në këtë mbledhje ishte rreth krijimit të Konventës së re të UEFA-s, që lindi nga nevoja për të bashkuar aktorët europianë të futbollit dhe për të forcuar të ardhmen e lojës më popullore në botë, ku diskutimi u përqëndrua në disa çështje themelore të Konventës së re.

Gjithashtu, u diskutua edhe lidhur me pozicionin e UEFA-s dhe Federatave anëtare në raport me procesin e të ashtuquajturës Superligë, që do të shqyrtohet në Gjykatën Europiane të Drejtësisë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.