Negociatat, Merkel: BE të mbante fjalën e vet dhe jo të nxirrte kushte të tjera

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ Kancelarja gjermane Angela Merkel, tha sot në Tiranë se “Shqipëria ka mbështetjen e BE-së për hapjen e negociatave”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë me Kryeministrin Edi Rama, Merkel theksoi se “unë sigurisht që nuk kam ndërmend të luaj rol aktiv politik, por do të jem mike e rajonit, do të jap këshilla”.

“Përvojat për veton janë bërë disa herë, nuk ka të bëjë vetëm me rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Unë jam shpresëplotë. Kemi bërë njëfarë pune, kemi pasur disa arritje”, deklaroi Merkel.

Kancelarja gjermane tha se “sigurisht Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë pasur mbështetjen e të gjitha vendeve të BE për të hapur negociatat, e kemi fjalën për konferencën ndërqeveritare”.

Merkel theksoi se, “shtetet anëtare të BE-së do të duhej që nga njëra anë të thonë se cilat janë kushtet për t’u përmbushur apo për të nisur procesin e anëtarësimit, dhe kemi thënë se çfarë duhet të ndryshojë në sistemin e drejtësisë, dhe në momentin që këto kushte plotësohen do të duhej që BE të mbante fjalën e vet dhe jo të nxirrte kushte të tjera, sepse për shkaqe po themi të politikës së brendshme në vende të caktuara, kjo nuk është e mundur dhe kjo sjell zhgënjim, dhe unë kam mirëkuptim për zhgënjimin që rezulton së këtejmi”, tha kancelarja Merkel.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.