Mbështetja me grante, fermerët rrisin të mbjellat në serrat e reja

TIRANË, 14 shtator /ATSH/  Agjencia për Zhvillimin Bujqësor e Rural (AZHBR) vijon të mbështesë fermerët në të gjithë vendin për të rritur kapacitet e tyre prodhuese.

Drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca bën të ditur se, “dhjetëra fermerë ‍në Shqipëri po rrisin të mbjellat e tyre në serrat e reja të ndërtuara me grantet e përfituara nga programi IPARD”.

“Këtu janë disa prej tyre”, u shpreh Krifca, teksa publikoi foto të fermerëve dhe të  investimeve të reja që kanë kryer ata në ngritjen e serrave të reja, në disa nga zonat e bashkive Lushnjë e Fier.

Serrat e mëdha krijojnë avantazh për prodhim të bollshëm dhe cilësor dhe bashkë me pikat e grumbullimit bëjnë një binom shumë të rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë.

Janë 29 milionë euro të injektuara për prodhimin në serra.

Me mbështetjen e AZHBR-së, janë ndërtuar 78 serra të reja diellore moderne të teknologjisë së lartë në 12 bashki të vendit, disa prej të cilave janë shndërruar në komplekset më të mëdha të serrave krahasuar me vendet e rajonit. Konkretisht për kultivimin e fidanëve të perimeve, apo edhe prodhimin e perimeve të freskëta, siç janë ato Fier, Lushnjë e Divjakë.

Me mbështetjen e AZHBR nëpërmjet Programit IPARD, fermerët gjithashtu janë mbështetur të investojnë në ndërtimin e serrave diellore të automatizuara, që ka nxitur punësimin, ka ndikuar në rritjen e prodhimit për eksport  dhe rritjen e të ardhurave për familjet rurale.

Mbështetja financiare dhe lehtësitë fiskale po nxisin fermerët drejt investimeve në ngritjen e serrave të reja bujqësore që sigurojnë prodhimin gjithëvjetor që sipas statistikave zyrtare arri në çdo vit rritet me 100 ha sipërfaqet e mbjella me serra në vendin tonë.

Bizneset e serrave për kultivimin masiv të perimeve, vitet e fundit edhe për frutat përbëjnë rreth 40 % të aseteve bujqësore të mbuluara në vendin tonë. Prodhimet në serra konkurrojnë fuqishëm në totalin e eksporteve bujqësore.

Mbi 80 % e prodhimit bujqësor në serra eksportohet në tregjet e huaja, kryesisht në vendet e BE-së, ku dhe kërkesa sa vjen e rritet. Ndërsa është rritur në 85 shtete tregu i eksporteve, nga 75 që ishte dy vite më parë. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.