LSI pa grup parlamentar, Mehmetaj: Nuk i kemi kërkuar deputetë PD-së, vota jonë opozitare

TIRANË, 14 shtator/ATSH/ Nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj sqaroi sot arsyet pse LSI zgjodhi të mos krijonte një grup parlamentar, ndërsa shtoi se “kjo nuk e pengon atë që të bëjë një opozitë të fortë”.

Në një intervistë televizive, Mehmetaj tha se “LSI nuk ka kërkuar nga PD deputetë për formuar grupin parlamentar, jo vetëm aktualisht por edhe përpara zgjedhjeve, ku kërkesa e vetme dhe pika që e bashkonte LSI dhe PD ka qenë mostradhëtimi i kauzës opozitare”.

“LSI është sot në opozitë, në një opozitë shumë të fortë e bindur për rrugën që ajo do të ndjekë dhe mënyrën si do të përballet qoftë në institucionin e parlamentit, por po ashtu edhe jashtë këtij institucioni ku patjetër të gjitha strukturat tona dhe përfaqësuesit tanë do të jenë në krye të detyrës”, tha ajo.

Mehmetaj tha se, “ne jemi futur në Parlament me 4 mandate si rezultat i kodit zgjedhor, pavarësisht se përfaqësimi ynë duhet të ishte shumë më tepër sesa kaq, nisur nga votat që kemi marrë në zgjedhjet e fundit”.

“Megjithatë, ne gjykojmë që për të bërë opozitë në Parlament qoftë edhe për të përdorur të gjithë instrumentat që të ofron parlamenti, nuk është domosdoshmëri për të pasur një grup parlamentar. Edhe një deputet i vetëm dhe jo më katër prej tyre, mund të ngrenë kauza, mund të zhvillojnë opozitë, mund të marrin nisma parlamentare dhe mund të bëjnë një punë më të madhe sesa një grup që mund të ketë 50, 60 apo më tepër deputetë”, shtoi ajo.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.