Kurti pas takimit me Merkel: Iniciativat rajonale nuk duhet të bëhen pa BE-në

TIRANË 14 shtator /ATSH-I.Vata/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me kancelaren Angela Merkel u shpreh se Procesi i Berlinit mjafton dhe nuk duhen alternativa të tjera për të krijuar një frymë pozitive në Ballkan.

Ai renditi edhe 4 elementë, sipas tij të domosdoshëm, që të ketë paqe në rajon: sundimi i ligjit, demokratizimi, ballafaqimi me të kaluarën dhe reciprociteti i të drejtave të pakicave.

Në një prononcim për mediet, Kurti tha se në bisedat që pati, theksoi se nuk duhet të ketë fonde evropiane pa vlera evropiane.

“Procesi i Berlinit është mjaftueshëm i gjerë dhe i thellë që të mos ketë nevojë për variante të tjera alternative. Unë theksova se nuk duhet të ketë fonde evropiane pa vlera evropiane. Pra fondet e BE për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të shoqërohen me vlerat e BE. Ndërkaq për vendin tonë theksova se janë 4 elementë të domosdoshëm që të ketë paqe të qëndrueshme e stabilitet dhe janë: sundimi i ligjit, demokratizimi që mundëson media të lira e të pavarura dhe vepron kundër autokratëve, ballafaqimi me të kaluarën që nuk lejon të jenë të lirë kriminelë të luftës e aq më pak në pushtet dhe i 4-ti është reciprociteti i të drejtave të pakicave”, theksoi Kurti.

“Sa i përket raporteve të Kosovës me Serbinë, janë dy shtete të cilët zhvillojnë dialog për statusin në marrëdhënie me njëri-tjetrin. Pra çfarë marrëdhëniesh do të kemi në të ardhmen? Statusi i Kosovës nuk është i diskutueshëm, e theksova se Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2008-2012. Pavarësia jonë nuk ishte e plotë pasi ishte e mbikëqyrur dhe ndërkombëtarët e hoqën mbikëqyrjen që Kosova të ishte e pavarur. Në Kosovë kemi stabilitet institucional. Ne jemi për marrëdhënie të mira rajonale e fqinjësore, por nuk mund të shpërblejmë me territor”, tha ai.

Kurti sqaroi edhe diskutimet me Merkel sa i takon dialogut me Serbinë.

“Ne shpjeguam qëndrimin tonë. Ajo u interesua për mbarëvajtjen e dialogut që zhvillohet në Bruksel e ku ndërmjetësues është Miroslav Lajçak, që vjen në Kosovë nesër. Pra, ka një proces në Bruksel që zhvillohet, por natyrisht ka dhe mospajtime të thella”, u shpreh Kurti.

Në lidhje me “Ballkanin e Hapur” Kurti tha se Procesi i Berlinit është i nevojshëm dhe i mjaftueshëm për rrugëtimin evropian dhe nuk ka nevojë për nisma të tjera.

“Ballkani nuk është 3 shtete, por as 6. Ballkani është së paku 12 dhe Ballkani Perëndimor me 6 shtete ka Procesin e Berlinit. Iniciativa rajonale nuk besojmë se duhet të bëhen pa BE brenda. BE duhet të jetë aty. Dallimi midis Procesit të Berlinit edhe “Ballkanit të Hapur” është se në të dytën nuk e kemi BE. Kosova është shtet i pavarur për të cilin të gjithë ne duhet të angazhohemi ta kërkojmë njohjen e saj e jo të shprehim mirëkuptim ndaj Serbisë për mosnjohjen e Kosovës”, u shpreh ai.

“Ne do kemi takim mes dy qeverive edhe me Shqipërinë. E vetmja arsye pse e kemi takimin me qeverinë e Maqedoninë e Veriut para Shqipërisë është sepse nuk është formuar ende qeveria. Por sapo të formohet qeveria do të fillojmë iniciativën për takim dhe neve kemi shumë gjëra që na afrojnë e bashkojnë, por natyrisht pyetjet bëhen vetëm për ato që na ndajnë”, theksoi ai.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.