Hartë të re e regjistrimit të pronës, BE do të financojë 5.7 milionë euro

TIRANË, 14 shtator /ATSH-I.Vata/ Bashkimi Europian do të financojë për Shqipërinë 5.7 milionë euro për një hartë të re të regjistrimit të pronës.

Lajmi bëhet i ditur nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, i cili e konsideron regjistrimin e pronave si një reformë vendimtare për integrimin e Shqipërisë në BE.

“Falë ndihmës nga Bashkimi Europian, Shqipëria do të ketë një hartë të re të regjistrimit të pronës. Me 5.7 milionë euro, programi i BE-së për të Drejtat e Pronësisë do të përmirësojë sigurinë ligjore dhe do të promovojë më shumë investime të huaja. Kjo është një reformë vendimtare për popullin shqiptar dhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, shkruan Soreca në Twitter.

Edhe ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, dakordësohet me deklaratat e kreut të delegacionit të BE-së, duke shtuar se zgjidhja e çështjes së pronës hedh themelet për një zhvillim më të madh.

“Zgjidhja e të drejtave të pronësisë do të hedhë themelet për një zhvillim më të madh, investime dhe barazi mundësish. Është e domosdoshme”, shkruan Kim.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.