COVID-19 – Kina bllokon metropolin Xiamen pas shpërthimit të Deltas

PEKIN, 14 shtator /ATSH-DPA/ – Një shpërthim i ri i variantit shumë infektiv Delta të koronavirusit ka rezultuar në vendosjen e kufizimeve të gjera ndaj qytetarëve në Kinën Juglindore.

Autoritetet në metropolin bregdetar të Xiamenit, provinca Fujian, u thanë sot 4,3 milionë banorëve që të mos largoheshin nga qyteti, pas anulimit të veprimtarive kryesore, mbylljes së shkollave, restoranteve dhe qendrave tregtare.

Masat erdhën pasi 32 raste të reja të koronavirusit u zbuluan në qytet të hënën, duke e çuar numrin e infeksioneve në provincën Fujian në më shumë se 100 që nga java e kaluar.

Përhapja aktuale filloi në qytetin Putian, në veri të Xiamenit.

Një burrë besohet se e ka sjellë virusin në Putian pas një vizite në Singapor.

Qeveria kineze po ndjek strategjinë zero Covid-19./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.