Botërori 2023, Doçi dhe Elezaj: Jemi rritur si ekip

TIRANË 14 shtator /ATSH-I.Vata/ Kombëtarja shqiptare e femrave ka nisur që prej ditës së shtunë grumbullimin dhe stërvitjet për ndeshjet eliminatore ndaj Kosovës dhe Belgjikës, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror Australi – Zelandë e Re 2023.

Nga grumbullimi në Elbasan, në një konferencë për mediet kanë dalë sot dy futbollistet, Megi Doçi dhe Endrina Elezaj, të cilat kanë folur në lidhje me objektivat e ekipit për këto dy ndeshje si dhe për synimin e skuadrës në tërësi, në lidhje me grupin F, ku në të njëjtin grup me Shqipërinë gjenden edhe Belgjika, Polonia, Norvegjia, Kosova dhe Armenia. Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë ndaj Kosovës më 16 shtator në “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 19:00, ndërsa më 21 shtator do të luajë ndaj Belgjikës në transfertë.

Megi Doçi, në fjalën e saj u shpreh se objektivi i ekipit është të zhvillojë ndeshje të mira dhe shpreson që ndaj Kosovës, skuadra të marrë 3 pikët për ta nisur mbarë këtë fushatë të re eliminatoresh. Gjithashtu, ajo theksoi se Grupi F është një grup i vështirë, me skuadra si Polonia, Belgjika e Norvegjia, por vajzat kuqezi premtojnë se do të luajnë gjithçka në këto ndeshje.

Në fund, ajo i bën thirrje të gjithë tifozëve shqiptarë, t’i bashkohen të enjten Kombëtares së femrave për t’i mbështetur.

Edhe futbollistja tjetër e ekipit, Endrina Elezaj u shpreh se skuadra është përgatitur fort për këto dy ndeshje dhe theksoi se fokusi kryesor është ndeshja e parë ndaj Kosovës.

Elezaj foli edhe për grupin, por tha se Shqipëria e femrave po rritet dita-ditës dhe se do të shpalosë të gjitha mundësitë me këto skuadra. Ajo ftoi të gjithë tifozët që t’i bashkohen në sfidën e parë ndaj Kosovës në “Elbasan Arena”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.