BBC:  Janë dyfishuar globalisht ditët me temperatura jashtëzakonisht të nxehta

ROMË, 14 shtator /ATSH-ANSA/ – Numri i ditëve jashtëzakonisht të nxehta, me temperatura që tejkalon 50 gradët Celsius, janë dyfishuar në mbarë botën që nga vitet 1980, sipas një studimi nga BBC, i publikuar në faqen e tij të internetit.

Por jo vetëm kaq, tani këto ditë të nxehta po shfaqen në më shumë zona të planetit, sesa në të kaluarën, duke paraqitur sfida të papara për shëndetin e njeriut.

Bilanci i ditëve me temperatura mbi 50 gradë është rritur në çdo dekadë që nga viti 1980: mesatarisht, midis 1980 dhe 2009, ky prag u tejkalua rreth 14 ditë në vit.

Por, midis 2010 dhe 2019, arriti në 26 ditë.

Gjatë së njëjtës periudhë, u regjistruan mesatarisht dy javë të tjera në vit në të cilat temperaturat tejkaluan 45 gradë.

“Rritja mund t’i atribuohet 100 për qind përdorimit të lëndëve djegëse fosile”, tha Friederike Otto, drejtoreshë e asociuar e Institutit të Ndryshimeve Mjedisore në Universitetin e Oksfordit.

Shenja 50 gradë është regjistruar kryesisht në Lindjen e Mesme dhe rajonet e Gjirit, por shkencëtarët besojnë se edhe rajonet e tjera janë në rrezik, pas regjistrimeve prej 48,8 gradë në Itali dhe 49,6 në Kanada, këtë verë, nëse emetimet e karburanteve fosile nuk zvogëlohen./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.