Zjarrëvënie në Kombinat, arrestohet në flagrancë 37-vjeçari

TIRANË, 13 shtator/ATSH/ Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrëvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë nr. 6, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Myslym Stafa, 37 vjeç, banues në Kombinat.

Sipas Policisë, ky shtetas ditën e djeshme në rrugën “Hamdi Cenoimeri” në Kombinat, është kapur në flagrancë duke i vënë zjarrin shkurreve dhe pemëve halore, dhe për pasojë është djegur një sipërfaqe e madhe kodre me pemë halore (pisha) dhe shkurre.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë banorët që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrëvënie pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrëvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.